Lajme

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, vjen në Kosovë për 16 vjetorin e pavarësisë


Nik Gjeloshaj

Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi, do të marrë pjesë në ceremoninë e festimit të ditës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, në përvjetorin e 16-të.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Gjeloshaj përmes një postimi në Facebook.

“Në mbledhjen e sotme Qeveria aprovoi platformën qe të vizitoj Kosovën dhe të marr pjesë në kremtimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës”, shkroi ai.

Mali i Zi, theksoi ai, e ka njohur pavarësinë dhe vazhdon të ketë bashkëpunim shtetëror me Kosovën.

Politikani shqiptar në Mal të Zi, bëri të ditur se ftesa për pjesëmarrje në ceremoninë e festës së pavarësisë është dërguar nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Kjo konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore midis dy shteteve”, pohoi ai.

Në emër të Qeverisë së Malit të Zi, shtoi Gjeloshaj, “do të uroj 16 vjetorin e pavarësisë drejtueseve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.

Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore