Sport

‘Zeqir Ymeri’ i Kukësit drejt përfundimit (FOTO)


Stadiumi i klubit të Kukësit, “Zeqir Ymeri”, po shkon drejt përfundimit. Aktualisht ka filluar shtrimi i tapetit të barit.

Në ndryshim nga herët e mëparshme, fusha e re do të jetë me bar natyral dhe i një cilësie të lartë, në mënyrë që të përballojë temperaturat e ulëta në Kukës.

Klubi verilindor njofton se, përveç tapetit të barit, risia tjetër në këtë stadium do të jetë edhe ndriçimi, pasi nuk ka ekzistuar më parë.

“Sot ka nisur puna në stadiumin ‘Zeqir Ymeri’ për shtrimin e tapetit. Procesi i shtrimit do të përfundojë brenda pak ditëve, teksa më pas do të duhen të paktën 3 javë për të zhvilluar ndeshjen e parë në stadiumin e ri”, thuhet në njoftimin e Kukësit në Facebook.

“Ndryshe nga stadiumi i vjetër, fusha do të jetë me bar natyral, ndërkohë që do të ketë edhe impiant ndriçimi dhe për herë të parë, ndeshjet në stadiumin e ri mund të luhen edhe natën”.

“Krahas stadiumit, drejt përfundimit është edhe fusha stërvitore, e cila do t’i vijë në ndihmë ekipit për stërvitje, por edhe skuadrave të moshave”, përfundon njoftimi i klubit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore