Lajme

Zelensky: Ukraina njeh Izraelin dhe Palestinën dhe kërkon t’i japë fund vuajtjeve të civilëve


Ukraina njeh Izraelin dhe Palestinën.

Kështu ka thënë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Kievi shprehu mbështetjen për Izraelin pas sulmit vdekjeprurës nga organizata militante Hamas në tetor 2023.

Bombardimet e mëvonshme të Tel Avivit dhe pushtimi tokësor i Gazës tërhoqi kritika të ashpra nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, me Kombet e Bashkuara që vlerësojnë numrin në Gaza në mbi 35 mijë të vdekur.

I pyetur nga një gazetar në lidhje me mbështetjen e Kievit për Izraelin, Zelensky theksoi se Ukraina ishte ofruar gjithashtu për të ndihmuar në lehtësimin e krizës humanitare në Gaza dhe se të dy konfliktet nuk duhet “të përzihen”.

“Ukraina tha se nëse terroristët e Hamasit sulmuan civilët në ditën e parë të sulmit të tyre ndaj Izraelit, atëherë Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, ka thënë Zelensky.

Dhe më pas, kur Izraeli ishte në Gaza dhe pati një krizë humanitare, u tha “së pari, jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë humanitare për Gazën. Së dyti, ne duhet të respektojmë ligjin ndërkombëtar. Së treti, Ukraina njeh dy shtete, Izraelin dhe Palestinën, dhe do të bëjë gjithçka që është e mundur për të bindur Izraelin të ndalojë, t’i japë fund këtij konflikti dhe të parandalojë vuajtjet e civilëve”.

Presidenti ka thënë gjithashtu se Ukraina është një “vend i drejtë që njeh ligjet ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Ukraina ka ftuar Izraelin dhe Palestinën në samitin e ardhshëm global të paqes në Zvicër, pasi Kievi është “i gatshëm të dëgjojë të gjitha opinionet” e vendeve të tjera, përveç Rusisë, vuri në dukje Zelensky.

Samiti i paqes do të mbahet më 15-16 qershor në qytetin zviceran Burgenstock.

Ukraina shpreson se samiti do të trajtojë disa fusha kyçe, si siguria e energjisë, shkëmbimi i të burgosurve, kthimi i fëmijëve të dëbuar, siguria globale e ushqimit dhe tema të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore