Lajme

Zelensky në Itali, takon Mattarellan, Melonin dhe Papa Francescon


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po viziton Romën ku do të takohet me liderët politikë dhe do të ketë një audiencë me Papa Francescon.

“Një vizitë e rëndësishme për afrimin e fitores së Ukrainës!”, Zelensky shkroi në Twitter ndërsa zbarkoi në kryeqytetin italian.

Ai do të takohet me kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin Sergio Mattarella dhe do të udhëtojë për në Vatikan më vonë të shtunën.

Një operacion i madh sigurie është nisur, me mbi 1 mijë policë të vendosur dhe një zonë ndalim-fluturimi mbi Romë.

Papa Francesco ka thënë shpesh se Vatikani është i gatshëm të veprojë si ndërmjetës në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në fillim të këtij muaji, ai deklaroi se Vatikani po punonte për një plan paqeje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se misioni “nuk është ende publik dhe kur të jetë i tillë, ai do të flas për të”.

Por marrëdhënia midis Ukrainës dhe Vatikanit ka qenë e pakëndshme disa herë.

Gushtin e kaluar, ambasadori i Ukrainës në Vatikan ndërmori hapin e pazakontë duke kritikuar Papën pasi ky i fundit iu referua Darya Dugina-s, vajzës së një figure ultra-nacionaliste ruse, e cila u vra nga një makinë bombë, si një viktimë “e pafajshme” e luftës.

Të shtunën do të jetë hera e parë që presidenti Zelensky dhe Papa Francesco takohen, që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Dyshja janë takuar një herë në vitin 2020.

Vizita vjen pasi Rusia kreu një valë të re sulmesh ajrore në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës gjatë natës.

Tre persona u plagosën në qytetin jugor të Mykolaiv dhe në qytetin perëndimor të Khmelnytsky. Infrastruktura kritike, si dhe shtëpitë dhe ndërtesat qeveritare u goditën gjithashtu.

Shpërthime u raportuan të premten në qytetin e pushtuar nga Rusia të Luhansk, rreth 90 kilometra prapa vijës së frontit në Ukrainën lindore.

Forcat separatiste të mbështetura nga Rusia në rajon akuzuan Kievin për përdorimin e raketave Storm Shadow, të cilat Mbretëria e Bashkuar tha se i kishte furnizuar Ukrainës në fillim të kësaj jave.

Pati gjithashtu raporte të tjera për shpërthime në Luhansk të shtunën.

Ndërkohë, forcat ukrainase thonë se kanë bërë përparim pranë qytetit lindor të Bakhmut.

Ukraina fiton terren në Bakhmut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore