Lajme

Zelensky i kërkon Këshillit të Sigurimit përjashtimin e Rusisë, e quan shtet terrorist


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së përjashtimin e Rusisë nga struktura, pas sulmit të ndodhur në qendrën tregtare ukrainase nga forcat ruse, ku të vrarë mbetën 18 persona dhe të plagosur qindra të tjerë.

Mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit u kërkua nga pala ukrainase pikërisht për të dënuar këtë akt.

Zelensky mbajti fjalën e tij përpara përfaqësuesve të 15 vendeve anëtare në Këshill, presidencën e të cilit e mban Shqipëria deri në fund të qershorit.

Sipas presidentit ukrainas, pavarësisht faktit se nuk ka ende një emërtim të Rusisë si “shtet terrorist” nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, veprimet e saj e reflektojnë tërësisht këtë status.

Më pas, për të përligjur këtë thirrje të fortë, Zelensky vijoi duke listuar një sërë sulmesh që ka ndërmarrë Moska në Ukrainë, prej fillimit të agresionit rus më 24 shkurt 2022.

Në këtë listë, përfshiheshin kryesisht sulmet ndaj civilëve, me kulmimin në sulmin ndaj qendrës tregtare në Kremenchuk.

“Kush nga ju nuk bie dakord se ky është terrorizëm?”, shtroi Zelensky pyetjen karshi vendeve të Këshillit. “Një shtet duhet të quhet i tillë, për sa kohë vret njerëz paqësorë. Është një organizatë, e cila i është vënë kundër gjithë botës”.

Një mbajtje përgjegjësie të Rusisë në nivel ndërkombëtar, ai e ka kërkuar gjithashtu, duke qenë se ende nuk ka një zë të unifikuar botëror kundër Rusisë.

Shtete të ndryshme, kryesisht të izoluara e nën diktatura të ashpra, e mbështesin Vladimir Putinin dhe politikat që ai po ndjek.

Ndërsa, rreziku i vërtetë që kanoset, është fakti se ndër aleatët më të afërt të Kremlinit, është Kina dhe kjo e fundit është, po ashtu, pjesë e Këshillit të Sigurimit dhe strukturave më të mëdha botërore, me role madje shumë me rëndësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore