Zelandë e Re: Kostot e jetesës largojnë një numër rekord të rinjsh

SHFLETO
Klevis Hoxhaj
05.09.2024 23:00
Loading Icons...

Shifrat e përkohshme nga Statistikat e Zelandës së Re bëjnë me dije se 131 mijë e 200 njerëz u larguan nga vendi nga fillimi i vitit deri në qershor.

Ky ishte numri më i lartë i regjistruar nga autoritetet vendore, shkruan transmetuesi “Al Jazeera”.

Prej tyre, 80 mijë e 200 ishin qytetarë, afërsisht dyfishi i numrit të largimeve vjetore përpara pandemisë COVID-19.

Gati 40 për qind e atyre që largoheshin ishin të moshës 18-30 vjeç.

Me migrimin e jashtëm në nivele të paprecedentë, ekspertët kanë frikë se shumë nga ata që largohen mund të mos kthehen më.

Zelanda e Re, një nga vendet më të izoluara dhe më pak të populluara në botë, ka një traditë të gjatë të qytetarëve të saj që lëvizin përkohësisht jashtë vendit për ato që vendasit i quajnë “përvoja jashtë shtetit”, më së shpeshti në Mbretërinë e Bashkuar ose Australi.

Përveç 5.2 milionë banorëve të Zelandës së Re në vend, rreth një milion qytetarë jetojnë jashtë shtetit.

Kur goditi pandemia, më shumë se 50 mijë neozelandezë nxituan të kthehen në atdhe.

Kohë kur bllokimet e rrepta dhe kontrollet kufitare e mbajtën vendin kryesisht pa COVID-19 për më shumë se një vit, duke marrë lavdërime jashtë vendit.

Në vitet e fundit, megjithatë, Zelanda e Re ka pasur vështirësi ekonomike.

Në qershor, ekonomia iu rikthye rritjes pas recesioneve të dyfishta në harkun kohor prej 18 muajsh, duke shënuar një zgjerim mesatar tremujor prej 0.2 për qind.

Papunësia u rrit në 4.6 për qind në tremujorin e qershorit, nga 3.6 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Rritja e pagave, megjithëse përpara inflacionit, u ngadalësua në 4.1 për qind, nga 4.3 për qind një vit më parë.

Për shumë të rinj nga Zelanda e Re, pronësia e shtëpisë ndihet gjithnjë e paarritshme.

Pas disa vitesh rënie, çmimet e banesave po rriten sërish dhe mbeten afërsisht shtatë herë më të larta se të ardhurat mesatare, sipas shifrave të “Infometrics”.

Inflacioni i përgjithshëm arriti kulmin në vitin 2022 në 7.3 përqind, një nga normat më të larta në botën e zhvilluar dhe mbetet shumë mbi objektivin e bankës qendrore në 3.3 përqind.

Si rezultat, Banka e Rezervës së Zelandës së Re bëri rritje të njëpasnjëshme në normën bazë të interesit, e cila arriti kulmin në 5.5 përqind.

Marrë dhe përshtatur nga “Al Jazeera”