Lajme

Zeka: Zhvillimi ekonomik s’ka qenë prioritet i asnjë qeverie


Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se zhvillimi ekonomik nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie.

“Me sinqeritetin më të madh e them që realisht ekonomia nuk ka qenë prioritet i asnjërës prej qeverive që i kemi pasur prej vitit 99 e tutje, sidomos prej vitit 2008 e tutje, prej kur Kosova është shtet i pavarur”, tha Zeka në një intervistë për Ekonomia Online.

Kreu i OEAK ka potencuar se që Kosovës i nevojitet një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e ku në të duhet që të përfshihen të gjithë.

“Realisht duket që këtu çalojmë, mungesa e një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e cila do t’u jepte drejtim zhvillimeve që lidhen me ekonominë edhe aspektin social, duket që po e gjymton vendin në këtë aspekt. Këtu realisht besoj që qeveria këtë vit duhet ta caktojë me të vërtetë vit në të cilin zhvillimi ekonomik do të trajtohet me prioritet”, theksoi ai.

Zeka ka shtuar se Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë, derisa sipas tij, rritja ekonomike për këtë vit pritet që të jetë 4.2 për qind nëse shteti aktivizon shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit, e që sipas tij janë investimet kapitale edhe ruajtjen e konsumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore