Kosova

Zeka për reciprocitetin me Serbinë: Kosova po vendosë masa që nxisin reagimet e ndërkombëtarëve


Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka thënë se vendosja e tarifës 100% ndaj Serbisë në vitin 2018 dhe zëvendësimi i saj me reciprocitetin ka nxitur reagime nga partnerët ndërkombëtar.

Qeveria Kurti ka paralajmëruar disa herë se ndaj Serbisë do të vendosë masën e reciprocitetit, por pasi “të shteren të gjitha mundësitë tjera”.

Sipas Zekës, në rast të vendosjes së kësaj mase, përfitimet do të ishin më të pakta dhe pasojat më negative.

“Duke i ditur reagimet që partnerët tanë ndërkombëtar kanë pasur në vitin 2018 pas vendosjes së masës tarifore prej 100% karshi dy shteteve të Ballkanit Perëndimor, po edhe më vonë zëvendësimit të saj me reciprocitetin që po ashtu ka nxitur të njëjtin reagim edhe kërkesën për shfuqizim e çfarëdo barriere qoftë tarifore, atëherë natyrisht që nuk do të duhej të mendohej për masa të tilla të cilat do të mund të nxisnin reagim të njëjtë”- ka thënë ai për Ekonomia Online.

“Masa të tilla të njëanshëm nuk janë zgjidhje dhe nuk i shërbejnë marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore. Në aspektin ekonomik natyrisht që do të kishe përfitime ngjashëm siç ka pasur në vitin 2018-2019 ku në të gjitha aspektet e tjera negative mbi peshojnë në çfarëdo përfitimi të mundshëm afatshkurtër”.

Tutje shtoj se Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të orientuara për marrëdhënie të mira ndër fqinjësore sepse kjo është parakusht për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Tek e fundit edhe Kosova dhe shtetet e Ballkanit perëndimor janë të orientuara për marrëdhënie të mira ndër fqinjësore që është e dhe parakusht për integrimin në BE”.

Ai tha se problemet që ekzistojnë ndërmjet shteteve të Ballkanit në aspektin e tregtisë duhet të zgjidhen përmes mekanizmave që janë paraparë me marrëveshjen CEFTA-s.

“Të gjithë problemet të cilat ekzistojnë në tregtinë ndërmjet të gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor përfshirë edhe Kosovën me partner të tjerë duhet të zgjidhen përmes mekanizmave që janë paraparë me marrëveshjen CEFTA në këtë rast ose edhe me marrëveshje të tjera në se po flasim për marrëveshje për tregti të lirë përtej shteteve anëtare të Ballkanit Perëndimor”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore