Lajme

Zbulohet shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova në Pejë


Shtatorja e Ibrahim Rugoves ne Peje

Në qytetin e Pejës, në përvjetorin e 16-të të pavarësisë së Kosovës, është zbuluar shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Rugova, i cilësuar nga shumë kush si “arkitekti i pavarësisë së Kosovës”, nga kjo e shtunë, përvec në qytete të tjera të Kosovës, si Prishtinë e Istog, do ta ketë shtatoren edhe në Pejë.

Në ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë marrë pjesë kreu aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, familjarë të Rugovës, por edhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Abdixhiku ka theksuar se me përurimin e shtatores së presidentit historik po nderohet Kosova, duke e cilësuar Kosovën dhe Rugovën si një.

“Në këtë të ditë të bekuar, presidenti Rugova që ishte skalitur në zemrën e çdo shqiptari, po skalitet edhe në bronz në qytetin ku e përfundoi shkollimin e mesëm. Në vizionin e tij ne edhe sot gjejmë integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin me shtetet aleate. Me këtë po nderojmë Republikën pasi Republika dhe Rugova janë një”, deklaroi Abdixhiku.

Ndërsa, djali i presidentit Rugova, Uka, këtë moment e ka konsideruar si një ditë të veçantë për familjen e tyre.

“Kjo ditë e cila shënon edhe përvjetorin e njohjeve formale të shteteve për Kosovën, është ditë e veçantë për familjen tonë. I uroj qytetarët e Pejës për këtë shtatore të cilën do ta gëzojnë”, tha Ukë Rugova.

Ibrahim Rugova ka një rol të rëndësishëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai kishte udhëhequr lëvizjen pacifiste si kryetar i LDK-së që nga viti 1989.

Ai ishte zgjedhur president i Kosovës, para dhe pas çlirimit të Kosovës.

Rugova, ndonëse ka kontribuar për këtë ditë, nuk e kishte përjetuar momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës (17 shkurt, 2008), pasi që kishte vdekur në janar të vitit 2006.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore