Lajme

Zbulohet një diamant 1 mijë karatësh në Botswana


Lucara Diamond Corp. ka gjetur një tjetër diamant vigan nga një minierë në Botswana, gjetja e dytë e madhe brenda një muaji.

Perla e fundit peshonte 1 mijë e 94 karat dhe u gjet në minierën Karowe, tha kompania në një deklaratë.

Edhe pse është më i vogël se guri 2 mijë e 942 karat i zbuluar në të njëjtin vend në gusht, ai është ende afërsisht një e treta e madhësisë së diamantit më të madh të gjetur ndonjëherë, diamantit të famshëm Cullinan të Afrikës së Jugut.

Projekti Karowe i Lucara është i famshëm për gurët gjigantë dhe aksionet e kompanisë u rritën me më shumë se një të tretën muajin e kaluar kur u njoftua zbulimi fillestar i madh.

Shefi Ekzekutiv William Lamb tha se zbulimi i fundit vërtetoi më tej një zgjerim të kapacitetit nëntokësor të sitit, i cili do të zgjasë jetën e projektit deri në 2040.

“Ndërsa përparojmë me zhvillimin tonë nëntokësor, ne jemi gjithnjë e më të sigurt në aftësinë e Karowe-s për të prodhuar këto diamante legjendare edhe në të ardhmen, duke çimentuar pozicionin tonë në tregun e diamanteve të nivelit të lartë”, shtoi Lamb.

Zbulimi i fundit ka ngjashmëri me një perlë më të vogël të gjetur vitin e kaluar, diamantet e së cilës u shitën për më shumë se 13 milionë dollarë, nënvizoi kompania.

Marrë dhe përshtatur nga “Bloomberg” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore