Shqipëria

Zbulohen dy propozimet e Alibeajt për Bashkinë e Tiranës


Kryesia e Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje të premten e 24 marsit, pas së cilës janë zbuluar dy propozime lidhur me kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Nga grupimi i Enkelejd Alibeajt, emrat e propozuar për Bashkinë e Tiranës janë Jonila Godole dhe Roland Bejko.

Gjatë mbledhjes, deputetja demokrate Dhurata Çupi propozoi daljen me lista për këshillat bashkiakë, por jo me kandidatë për kryebashkiakë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja demokrate Jorida Tabaku theksoi se nuk ka asnjë arsye dhe asnjë justifikim për të përçarë votën e opozitës.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi një ditë më parë një kërkesë nga Sali Berisha, për të rrëzuar vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Kjo, për të regjistruar në zgjedhje Partinë Demokratike, me kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeajn.

Lidhur me këtë të fundit, vendimin e kishte marrë po vetë KAS më parë, duke e detyruar komisionerin ta regjistronte PD-në e Alibeajt në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, me plotësimin e dokumentacionit që vetë PD-ja ligjore duhet të kryente.

Pavarësisht kësaj, vetë Berisha e ka gjetur një zgjidhje alternative rreth çështjes, pasi kandidatët e tij do të regjistrohen nën siglën e koalicionit të formuar me Partinë e Lirisë, atë Demokristiane si edhe Partinë e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, i emërtuar “Bashkë Fitojmë”.

Në këtë koalicion, vetë PD-ja nuk figuron pjesëmarrëse, pasi Berisha nuk e ka tagrin ligjor për të përfaqësuar forcën e djathtë politike.

Ndërsa, grupimi i Alibeajt, regjistrimin e koalicionit e ka çuar në KAS, për ta rrëzuar atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore