Zbardhen detaje nga megaoperacioni i SPAK – Vijimi i “Plumbit të Artë”, nën arrest edhe zyrtarë
Janë zbardhur detaje të reja nga një megaoperacion i Prokurorisë së Posaçme SPAK, i shtrirë kryesisht në Elbasan, por edhe në Tiranë e Durrës, ku mbi 30 urdhër-arreste janë lëshuar dhe disa prej tyre ekzekutuar tashmë.
Nga sa arrihet të mësohet, aksioni është nën etiketimin “Plumbi i Artë” dhe është vazhdimi i një prej aksioneve më të mëdha të SPAK në vitin e shkuar.
Ky aksion ka ardhur pas zbërthimit të mëtejshëm të aplikacionit Sky ECC, i cili përdorej nga eksponentë të botës së krimit, për të komunikuar pa lënë gjurmë, duke përfshirë edhe komunikime me zyrtarë shtetërorë dhe eksponentë të Policisë, apo politikës.
Sipas detajeve që ka arritur të mësojë Albanian Post, nën masën e urdhër-arrestit janë vendosur edhe dy oficerë policie në këtë aksion.
Masa ka pasur edhe për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, apo edhe ndaj zëvendësdrejtorit të burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.
Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu dha vetë dorëheqjen duke mos iu nënshtruar filtrit të Vettingut, duke i dhënë fund karrierës së saj nga sistemi i drejtësisë. Në dorëheqjen e saj 2 vite më parë, ajo ka pretenduar se është e sëmurë. Por dorëheqja e saj përkonte me thirrjen që i kishte ardhur një ditë më parë nga Komisioni i Vettingut, ku i kërkohej që të paraqitej për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar.
Nga ana tjetër, Musaj është vendosur në pranga pasi dyshohet se ka lidhje me bandat e Elbasanit. Emri i tij raportohet se ka dalë nga përgjimet e zbardhura në aplikacionin “SkyECC”, por edhe nga të penduarit e drejtësisë që kanë zbuluar autorët dhe porositësit e disa ngjarjeve kriminale në qytetin e Elbasanit.
Ndër emrat e tjerë, ndaj të cilëve janë lëshuar urdhër-arreste, ka edhe eksponentë të njohur të botës së krimit.
Në to përfshihen: Hajdar Çopja, Mikael Qosja, Guri Biba, Renato Masuku, Armis Stafa, Maksim Koci, Erzen dhe Franc Çopja, Leonard Rragami, Altin Kamami, Rexhino Doçi, Arben Lamçja, Eljo Bitri, Dorian Dyli, Matilda Hoxholli, Denada Todi, Flobenc Meçja, Arsen Mema, Elvis Daka/Dragoviç.
Detaje të tjera priten në vijim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com