Kosova

Zana Spahiu ofron dorëheqje nga pozita e u.d drejtoreshës së RTK-së


Ilustrim

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka raportuar të enjten në lajmet e orës 23:00 se Zana Spahiu ka ofruar dorëheqje nga pozita e ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së RTK-së pas reagimeve publike për artikullin e përkthyer dhe publikuar të platformës boshnjake “Slobodna Bosna” nga transmetuesi publik, në të cilin pretendohet se regjimi serb kontrollon dy media kosovare.

Vendimin redaktorial të RTK-së e kanë dënuar gazetarë të shumtë në Kosovë. Gjithashtu, disa gazetarë dhe redaktorë të RTK-së janë distancuar. Në artikullin skandaloz të “Slobodna Bosna” përmenden planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të rritur ndikimin në Kosovë nëpërmjet kontrollit të dy mediave kosovare “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Jeton Musliu, redaktor i lajmeve qendrore, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten në mbrëmje, krahas distancimit nga publikimi i artikullit skandaloz të mediumit boshnjak në transmetuesin publik, ka shpërndarë gjithashtu disa mesazhe elektronike në të cilat Spahiu kërkon përgjegjësi për publikimin e informacioneve të paverifikuara nga RTK-ja.

Ndryshe, emërimi i Spahiut kishte ardhur pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhekajt nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Ajo u emërua u.d. së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së më 7 korrik 2024. E dorëheqja e Spahiut do të jetë efektive nga 30 korriku, pas pesë ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore