Lajme

Zaev: Postimi në Twitter, një gabim


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ka quajtur “një gabim” postimin e tij në Twitter për kombëtaren e futbollit maqedonase. Postim, për të cilin Zaev u kritikua nga pala greke, duke hedhur hamendësime nga disa media helenike, se mund të kemi një ngrirje të Marrëveshjes së Prespës pas tij.

“Ndonjëherë është normale të bësh gabime, edhe mbi Marrëveshjen e Prespës. Por, jam 46 vjeç. Është normale që të përdorësh emërtimin e gabuar një herë në 47 vjet. Ndoshta edhe ta përsërisësh”.

Kështu e ka justifikuar Zaevi, postimin ku ekipit të Maqedonisë së Veriut, ai i referohet si “ekipi maqedonas”.

Pas marrëveshjes së Prespës, emërtimi kombëtar i maqedonasve, është ai i Maqedonisë së Veriut.

Por, pavarësisht kësaj, Zaevi ka deklaruar se ai beson plotësisht në marrëveshjen e Prespës. Madje, gjithashtu se është i pari që e ndjek atë.

Mbi kombëtaren, ai saktësoi se është ekipi që përfaqëson Maqedoninë e Veriut. Por, brenda tij, ka lojtarë maqedonas, shqiptarë boshnjakë.

Ky postim nuk mbeti pa pasoja edhe institucionale. Një memorandum bashkëveprimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, u shty nga këta të fundit, në formë proteste.

Zaevi tha se “tweet-i” nuk ishte një arsye për të penguar marrëveshjen dhe memorandumet pasuese.

“Kemi pritur dy vjet për këtë marrëveshje. Nuk mund të presim tre muaj të tjerë”, theksoi kryeministri maqedonas, duke cilësuar se qytetarët e dy shteteve, duan që hapat dypalësh të vazhdojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore