Shqipëria

Yuri Kim rendit ngjarjet më të rëndësishme në urimin e ndërrimit të viteve


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim ka uruar të gjithë shqiptarët për vitin e ri përmes një video-mesazhi të publikuar në median sociale.

Diplomatja amerikane renditi disa nga ngjarjet më të rëndësishme që shënuan këtë vit në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Kujtojmë që viti 2022 përkonte me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Kim përmendi angazhimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB, duke e cilësuar atë si “të jashtëzakonshëm”.

“2022 ishte një vit i mbushur me ngjarje. Për herë të parë Shqipëria zuri vendin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit. Së bashku ne drejtuam agjendën drejt përparësive globale përfshirë mbështetjen ndaj Ukrainës”, theksoi ambasadorja.

Në vijim të mesazhit virtual, ajo u ndal edhe te reforma në drejtësi, e cila sipas sipas saj ndonëse nuk është perfekte vijon të ecë përpara.

“2022 pati gjithashtu rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur, por ajo vazhdon të ecë përpara”, kujtoi Kim.

Në videon e Yuri Kim u shfaq dhe mesazhi i presidentit amerikan Joe Biden, i cili mes të tjerash shprehet se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të qëndrojnë përkrah Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore