Shqipëria

Yuri Kim pas arrestimit të Lefter Kokës: Ligjit nuk mund t’i fshiheni


Fill pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ka reaguar ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Kim ka ritheksuar për të disatën herë se, “askush nuk është mbi ligjin”. Sipas saj kjo shihet nga veprimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), gjatë kësaj jave.

“Mund të vraponi, por nuk mund t’i fshiheni më ligjit”, shkruan Kim në median sociale Twitter.

Ajo e mbyll me mesazhin se, “Reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete”.

Arrestimi i Lefter Kokës

SPAK mesditën e 14 dhjetorit ka lëshuar urdhër arrestin për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili ka mbajtur postin në vitet 2013-2017

Sipas burimeve, u mësua se bëhej fjalë për hetimin e nisur për çështjen e inceneratorëve, një kallëzim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Urdhër arresti është firmosur nga prokurori Klodian Braho dhe gjyqtari Erion Bani dy ditë më parë.

Gjithashtu, përveç Kokës janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Më 21 tetor, LSI-ja dorëzoi pranë SPAK-ut, kallëzimin penal për ish-funksionarin e kësaj partie.

Akuza e LSI-së lidhet me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë, ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI.

E para lidhet me emërtimin e procedurës. Sipas kryetares së partisë, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori. Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhet me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore