Aplikacione

YouTuber-es Ruby Franke i jepet dënim maksimal për abuzimin e fëmijëve


Një nënë – këshillat e ashpra prindërore të së cilës e kthyen atë në influencuese në YouTube – është dënuar me të paktën katër vjet burg për abuzim me fëmijët.

Ruby Franke, 42 vjeçe, kërkoi falje në gjykatë pasi mësoi fatin e saj.

Ajo më parë u deklarua fajtore për abuzimin me fëmijët e saj.

Ajo u shfaq së bashku me ish-partneren e saj të biznesit Jodi Hildebrandt, 54 vjeç, e cila mori një dënim të njëjtë.

Dënimet do të ekzekutohen në mënyrë të njëpasnjëshme dhe janë maksimumi për çdo akuzë sipas ligjit të Utah.

Se sa kohë do të shërbejë secila në fund do të përcaktohet nga bordi i lirimit me kusht të shtetit.

Franke do të ketë 30 ditë për të apeluar vendimin.

Në gjykatë, prokurori i Utah-s, Eric Clarke, tha se dy nga fëmijët e Frankes, nëntë dhe 11 vjeç në atë kohë, jetonin në një “ambient të ngjashëm me kampin e përqendrimit” dhe e quajti atë një kërcënim të rëndësishëm për komunitetin.

“Fëmijëve iu mohohej rregullisht ushqimi, uji, shtretërit për të fjetur dhe pothuajse të gjitha format e argëtimit”, tha Clarke.

Dy gratë u arrestuan në gusht 2023 pasi djali 12-vjeçar i kequshqyer i Franke u ngjit nga një dritare në shtëpinë e Hildebrandt në Ivins, Utah. Policia tha se fëmija më pas vrapoi në shtëpinë e një fqinji dhe kërkoi ushqim dhe ujë.

Ai kishte plagë nga lidhja me litar, sipas të dhënave të policisë.

Arrestimet shënuan fundin e një karriere të gjatë dhe të diskutueshme në YouTube.

Franke mblodhi më shumë se dy milionë abonentë në kanalin e saj 8 Passengers, të cilin e filloi në vitin 2015.

Por pas shumë shqetësimeve dhe hetimeve të nisura edhe nga vetë audienca, kanali filloi të bjerë në popullaritet dhe u fshi në vitin 2022, në të njëjtin vit që Franke dhe burri i saj u ndanë.

Franke më pas filloi të shfaqej në videot në YouTube të postuara nga Hildebrandt – një këshilltare dhe trajnere e jetës – në faqen e saj, ConneXions Classroom.

Megjithatë, larg kamerës, fëmijët e Franke po i nënshtroheshin abuzimit edhe më të ashpër.

Kjo përfshinte lidhjen e tyre, rrahjen dhe shkelmimin, neglizhimin për t’i ushqyer dhe detyrimin e tyre të punonin jashtë gjatë verës pa krem kundër diellit, duke rezultuar në djegie të rënda nga dielli, sipas të dhënave të policisë.

Përmes avokatit të tij, ish-bashkëshorti i Franke, Kevin Franke, kërkoi para seancës dhënien e dënimit maksimal dhe e quajti abuzimin e pësuar nga fëmijët e tij “të tmerrshëm dhe çnjerëzor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore