Kosova

Ymeri, Maliqi e Hoxha: Disa nga reagimet për publikimin e editorialit nga diplomati anonim – çfarë është shumë e rëndësishme në këtë shkrim?


Foto nga Albanian Post

Ish-politikan si Visar Ymeri, analist politik si Agon Maliqi e studiues si Abit Hoxha, i kanë reaguar publikimit të fundit nga Albanian Post – një editorial nga diplomati që qëndron pas dokumentit mbi kornizën e re të dialogut të publikuar nga AP me 18 shtator.

Duke marrë model një metodë të përdorur nga New York Times, Albanian Post ndërmori hapin e rrallë për të botuar një editorial anonim.

Kjo u bë me kërkesë të autorit, një diplomat i lartë i përfshirë në çështjet e rajonit, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë dhe pozita e të cilit do të rrezikohej nga zbulimi i identitetit.

Në fund të fundit, ideja është për të kuptuar më shumë rreth asaj se çfarë po ndodhë në dialog dhe opsionet që janë të shtruara aktualisht dhe pak ka të bëjë më emrat e përveçëm nga të cilët dalin informacionet.

Pikërisht për këtë ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Twitter.

Ai thotë se meqë “korniza e re e dialogut e publikuar kohë më parë në Albanian Post, u pranua të jetë dokument ekzistent”, tash që vjen një editorial nga një diplomat anonim, më mirë do të ishte “të merremi me  kahjen e dialogut që duket se po e merr këtë udhë”, se sa “a ekziston ky diplomat?”.

 

Në një nga paragrafët e editorialit thuhet edhe se “miqtë tanë në Prishtinë duhet ta dinë që askush në Berlin, Paris, Bruksel, Londër, DC, por edhe në kryeqytetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën, as që e çon në mendje një mundësi në të cilën Serbia mund të vazhdojë rrugën e vet evropiane, por edhe partneritetin me Evropën, pa bërë një marrëveshje të qëndrueshme paqeje me Kosovën”.

Prandaj theksohet se “jemi në pajtim të plotë”, duke vazhduar se komuniteti ndërkombëtar “nuk do armëpushim, duam paqe të qëndrueshme, ku Kosova dhe Serbia, si dy fqinjë të mirë, kthehen në faktorë të stabilitetit në Evropën juglindore”.

Agon Maliqi editorialin e konsideron si “një shkrim shumë interesant për t’u lexuar”.

 

Edhe për ligjëruesin e medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, editoriali i publikuar nga AP është një shkrim shumë interesant, sepse “tregohet për iniciativën pas propozimit për dialog dhe skenarët”.

Sipas Hoxhës, “injorimi ose djegia e kartave për Kosovën është djegie e urave”, duke nënkuptuar pozicionin pasiv të ekipit negociator të Kosovës në Bruksel, por edhe në përgjithësi strategjinë qeveritare për dialog.

 

Në një pjesë të editorialit të diplomatit anonim, publikuar nga Albanian Post, shtrohet edhe pyetja se “A duhet të vazhdojmë ta presim Serbinë? A duhet të vazhdojmë t’i japim mundësi Rusisë që, nëpërmjet Beogradit, të tentojë përçarjen e NATO-së dhe BE-së? A duhet të vazhdojmë t’i lejojmë Putinit që të flasë për “precedentin” e Kosovës dhe me cinizëm të në thotë se, sa i përket Kosovës, disa shtete të NATO-së mendojnë njësoj si Rusia?”.

“Jo, ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë, sepse atëherë Kosova kthehet në thembrën tonë të Akilit”, theksohet në editorial.

Prandaj, sipas tij, duhet “një zgjidhje edhe për skenarin ku Serbia zgjedh kokëfortësinë, duke llogaritur në mbështetjen ruse në Këshill të Sigurimit”.

“Dhe, i gjithë angazhimi ynë këto javë dhe muajt e fundit, është në funksion të krijimit të një mundësie të re që përfundimisht e neutralizon status-quon”, shkruan diplomati.

“Nuk ka asnjë dilemë. Fundi i rrugës është njohja reciproke, thjesht për të mbërritur deri aty do të duhen disa faza. Dhe faza më e rëndësishme është që Kosova ta zërë vendin e vet në familjen e kombeve të lira të Evropës. Dhe për ta bërë këtë, Kosova duhet të anëtarësohet në Këshill të Evropës dhe të nis procesin e anëtarësimit në NATO dhe në BE”.

Editorial: Unë jam diplomati që qëndron prapa dokumentit mbi kornizën e re të dialogut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore