Stil

Ylli televiziv transgjinor në Kinë, Jin Xing


"Më ngjit çfarëdo etikete, mashkull apo femër, unë jam akoma një person shumë i ndritshëm", thotë Jin Xing, një personalitet televiziv e mirënjohur.

Jin Xing, një prezentuese televizive, 53 vjeçare, të cilën shpesh e quajnë Oprah Winfrey e Kinës, ka pikëpamje të fuqishme mbi atë çka do të thotë të jesh grua. Ajo i ka nxitur mysafirët femra të nxitojnë për tu martuar, ose për të bërë fëmijë.

Kur flitet për burrat, ajo ka rekomanduar femrat që të veprojnë si të mos kishin asnjë shpresë nga burrat. E vetmja mënyrë për t’ia dalë në jetë.

Kjo mund të mos jetë e pazakonshme në Kinë, ku normat gjinore tradicionale janë ende thellësisht të ngulitura, sidomost te njerëzit më të moshuar. Vetëm se zonja Jin s’është yll kinez prej të zakonshmeve.

Zonja Jin, si transgjinora më e madhe në Kinë – sot e kësaj dite – në mënyra të shumta konsiderohet si një ikonë progresive. Ajo ka hyrë në operacion të ndërrimit të gjinisë në vitin 1995, si njeriu i parë në vend që e bëri këtë haptazi.

Ajo e tregoi këtë në një prej programeve më të famshme në Kinë, kur stigma ndajt komunitetit LGBTQ ishte – dhe mbetet ende – shumë e përhapur.

Personalitetet më të mirënjohura të Kinës janë shfaqur në programin e saj, “The Jin Xing Show”. Brad Pitt njëherë edhe belbëzoi pak gjuhë Mandarine me të për të promovuar një film aty.

“Të gjithë miqt e mi të ngushtë më ngacmonin se Kina kurrë s’do të të lejojë të kesh programin tënd”, thotë Jin, kur e rikujton t’u ketë treguar miqve për këtë dëshirë të saj. “Si mendon ti se do të të lejojnë, me identitet transgjinor, të dalësh në TV?”.

Por edhe pse biografia e jashtëzakonshme e saj e ka ngritur atë në një nivel gati mitik, për disa, ajo është ende një prej figurave më të sikletshme të kulturës pop kineze.

Zonja Jin ka kohë që ka folur hapur për çështje tabu, përfshirë seksin.

Megjithëse shpesh lavdërohej si një traversë për komunitetin L.G.B.T.Q., ajo refuzon rolin e bartëses të këtyre standardeve dhe kritikon aktivistët të cilët ajo i percepton se kërkojnë trajtime të veçanta. “Respekti fitohet nga vetvetja, jo diçka që i kërkohet shoqërisë të të japë”, tha ajo.

Ajo gjithashtu është kritikuar ashpër për pikëpamjet e saj mbi gruan. Në një kujtim të vitit 2013, Jin shkroi se një “grua e zgjuar” duhet ta bëjë partnerin e saj të ndjejë se ajo është si një “vajzë e vogël që ka nevojë për të”. Në “Jin Xing Show”, ajo i tha aktores Michelle Ye se vetëm pas lindjes do të mund të ndihej e plotësuar.

Michelle Ye me një të qeshur si të nervozuar i tha asaj se “po tingëlloni si dikush që ka lindur vetë”.

Jin nuk u ndal përballë batutës. “Unë e kam rilindur veten”, tha ajo.

Jin ndihet keq kur e cilësojnë si konservatore. Po të ishte e tillë, tha ajo, do të kishte vazhduar të bënte jetën e burrit.

Ajo ka dënuar punësimet e bazuara në gjini si diskriminime dhe e ka quajtur Ditën e Gruas në Kinë si një ditë pushimi që ka marrë një formë tregtare. Në maj, ajo u paraqit në një fushatë të Dior-it që festonte fuqizimin e grave, në të cilën ajo tha se gjëja më e rëndësishme për çdo grua do të ishte pavar5sia e saj.

Megjithatë, ajo pranon se nuk ka ndërmend ti zhbëjë rregullat e vendosura nga burrat, por vetëm të ndihmojë gratë që të mundin të jetojnë sa më mirë së bashku.

Znj. Jin duke udhëzuar valltarë nga trupa e saj në Shangai në vitin 2006. Teatri i Vallëzimit Jin Xing ishte grupi i parë privat i vallëzimit në vend.

“Sa është përqindja e liderëve botërorë që janë mbretëresha ose presidente gra? Ende në të shumtën e rasteve ata janë burra”, tha Jin, ‘Nëse burrat pushtojnë botën për të dëshmuar vetveten, gratë mund të pushtojnë burrat për të dëshmuar vetveten”.

Jin ka lindur në 1967 në Shenyang, në verilindje të Kinës, dhe kishte një baba oficer të ushtrisë, nëna e saj ishte përkthyese. Në ditaret e saj, përshkruan veten të lumtur kur familja e krahasonte atë me një “vajzë të vogël e të gjallë”, për shkak të pasionit që ajo kishte ndaj vallëzimit dhe këndimit.

Në moshën 9 vjeçare, ajo u rekrutua nga një trupë ushtarake vallëzimi. Nëna e saj e kundërshtoi atë përzgjedhje, por jo për arsye gjinore. Thjesht sepse dëshironte që ajo të vazhdonte me shkollimin e saj. Në fakt si djemtë dhe vajzat fitonin prestigj nëse vallëzonin në ushtri, pasi artet në atë kohë konsideroheshin mjete të rëndësishme propagande.

Si adoleshente, Jin fitoi një bursë vallëzimi në New York, ku në 1991 e përditëshmja “New York Times” e quajti një nga shfaqjet e saj “jashtëzakonisht bindëse”. Pas katër vitesh në Shtetet e Bashkuara, ajo bëri një turne nëpër Evropë – duke mësuar gjuhën frënge dhe italiane, përveç asaj angleze, kineze, koreane dhe japoneze, që ajo dinte tashmë.

Por në 1993, në moshën 26 vjeç, ajo u kthye në Kinë për t’u përgatitur të dilte haptazi në publik si transgjinore.

Megjithëse ajo e dinte që ishte femër që kur ishte 6 vjeç, ajo nuk donte ta shpallte atë derisa të përgatitej mjaftueshëm. Kirurgjia e tranzicionit (ndërrimit të gjinisë), megjithëse e ligjshme, u stigmatizua shumë. Ajo vendosi të priste derisa të ishte bërë një nga valltaret më të shquara të Kinës.

“Kur nuk keni akumuluar mjaftueshëm energji, nuk mund të flisni për këtë gjë hapur”, tha ajo. “Pasi të keni arritur forcën e mjaftueshme dhe njerëzit nuk mund t’ju rrëzojnë, atëherë ju mund të përballeni me ta”.

Jin me bashkëprezentuesin e saj, Shen Nan, në The Jin Xing Show, një prej programeve më të pëlqyera në Kinë.

Koha tregoi që ajo kishte qenë e saktë. Ndërsa disa e sulmuan atë pas operacionit, shumica e publikut e mbështetën.

Kina, në një farë mënyre ofron më shumë njohje për njerëzit transgjinorë sesa për homoseksualët, tha Bao Hongwei, një studiues i kulturës ‘queer’ kineze në Universitetin e Nottingham-it, në Angli. Sidomos në vitet 1980 dhe 1990, kirurgjia u pa si një kurë që lejonte njerëzit transgjinorë të jetonin brenda roleve tradicionale gjinore.

“Ajo mbështet të gjitha normat gjinore”, tha profesor Bao. “Unë mendoj se e gjithë kjo kontribuoi që ajo të njihej në sferën e mediave të Kinës.”

Megjithatë, edhe pse Jin përpiqej të respektonte disa norma, ajo flaku tutje të tjerat.

Ajo themeloi Teatrin e Vallëzimit Jin Xing, grupi i parë privat i vallëzimit në vend, në 1999. Ajo u bë një nënë beqare, duke adoptuar tre fëmijë, megjithëse politika e Kinës për një fëmijë ishte ende në fuqi në atë kohë.

Dhe ajo e ka arritur gradualisht dhe qetë, në mënyrë jo-apologetike, suksesin e saj në televizion.

Fama televizive e Jin-it filloi në 2013, kur vlerësimet ndaj saj, herë pas here ngacmuese të konkurrentëve në një shfaqje kërcimi, i dhanë pseudonimin Gjuha Helmuese. Në vitin 2015, ajo e kanalizoi atë popullaritet në “The Jin Xing Show”. Me të ftuarit ajo ishte e ngrohtë dhe konspirative.

Përveç shfaqjes në televizion, znj. Jin fajkon produkte në transmetimet e drejtpërdrejta në internet.

Por, Jin, nuk hezitoi asnjëherë të përmendte njerëz të famshëm, të cilëve mendonte se u mungonte talenti. Ajo foli hapur për çështjet që ishin tabu, përfshirë edhe seksin.

Ajo ishte polarizuese, por jashtëzakonisht e famshme. 100 milionë njerëz e shikonin çdo javë emisionin  e saj.

Jin vazhdimisht ka hedhur poshtë idenë se fama e saj ishte e lidhur me identitetin transgjinor.

“Mos mendoni se unë bëra operacion dhe u bëra një person magjepsës. Gabim. Kur isha djalë, isha mjaft magjepsës”, tha ajo. “Më ngjit çfarëdo etikete, mashkull apo femër, unë jam akoma një person shumë i ndritshëm”.

Në vitin 2017, “Show Jin Xing” u anulua papritur. Në atë kohë, Jin fajësoi “njerëzit e vegjël” të cilët ishin xhelozë për suksesin e saj, por detajet e këtij vendimi nuk janë bërë kurrë publike.

Që nga ajo kohë, Jin ka vazhduar të drejtoj trupën e saj të vallëzimit, të shesë produkte në transmetimet e drejtpërdrejta në internet dhe të drejtojë shfaqje ku lidh të dashurit, edhe pse askush nuk i është afruar nga popullariteti programit të saj me intervista.

Znj. Jin me anëtarët e Teatrit të Vallëzimit Jin Xing në “Shanghai Tango” në Teatrin Joyce në New York City në 2012.

Guo Ting, një hulumtues i studimeve gjinore në Universitetin e Hong Kongut, tha se rënia e popullaritetit të Jin-it përkoi me një goditje më të gjerë të qeverisë ndaj aktivizmit gjinor. Ndërsa nuk ka një lidhje të qartë midis këtyre të dyjave, shteti kohët e fundit ka kërkuar të promovojë vlerat tradicionale, tha Dr. Guo.

Megjithatë, të tjerë vërejnë, se shumë njerëz në Kinë janë rritur e mësuar tashmë të pranojnë njerëzit transgjinorë. Ata thanë se shpresonin se Jin – thelbësore për këtë çështje kur e kishte prezantuar vetveten – nuk do të ishte më fytyra e vetme e komunitetit.

“Unë e shoh Jin Xing-un si pjesë e brezit të prindërve tanë: Ata kanë arritur progres në kohën e tyre, por për ne, ata mund të duken të vjetëruar”, tha Jelly Wang, 25 vjeçare, një aktiviste për të drejtat transgjinore në Provincën Sichuan.

Ky vlerësim është në pajtim me Jin.

“Unë gjithmonë kam vepruar plotësisht sipas dëshirave të mia”, tha ajo. “Nëse indirekt u bëra idhull për disa të rinj, për mua është mirë, por kurrë nuk e kam bërë veten lidere”.

“Duke jetuar shëndetshëm dhe duke u ballafaquar me jetën pozitivisht, unë tashmë kam ndikuar pozitivisht në shoqëri,” vazhdoi ajo. “Kjo për mua është e mjaftueshme.”

Përkthyer dhe përshtatur nga “The New York Times” për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore