Zgjedhjet në Kosovë

Yjet e muzikës mirëpresin Vjosa Osmanin si Presidente


Estrada shqiptare e muzikës ka mirëpritur zgjedhjen e Vjosa Osmanit, për Presidente të Republikës së Kosovës. Madje, ata nuk kanë hezituar ta shprehin publikisht “gëzimin” e tyre për Presidenten e re.

Disa nga ta zgjodhën të postojnë storie në llogaritë e tyre të Instagram-it, por ka edhe nga ata të cilët kanë publikuar postime të veçanta urimi për tashmë Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin.

Një postim në llogarinë e saj të Instagram-it, e ka publikuar këngëtarja, Dafina Zeqiri, ku ka mbishkruar edhe një dedikim kushtuar grave, të cilin Osmani e tha gjatë fjalimit pas marrjes së postit të ri.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku vetë e dëshirojnë. Çdo gjë është e mundur dhe mund të bëhet realitet! Urime Vjosa Osmani, Urime Kosovë”, ka shkruar Zeqiri në postimin e saj, i cili ka arritur të marr mbi 60 mijë pëlqime.

Urim për Osmanin, ka shkruar edhe ylli tjetër i muzikës, Era Istrefi, duke ndarë me publikun një fotografi ku shihen dyshja teksa bashkëbisedojnë në mënyrë virtuale.

“E ardhmja do të jetë e ndritur. Urime Kosovë, nuk do të mund të isha më krenare”, ka mbishkruar Era, në storien e publikuar në Instagram-in e saj.

Për Vjosën, urime erdhën edhe nga Shqipëria.

Rep artisti, Noizy, këngëtarja, Elvana Gjata e Besa Kokëdhima, po ashtu kanë publikuar storiet e tyre përgëzuese për detyrën e re të Vjosa Osmanit.

“Urime, Vjosa Osmani”, dhe një fotografi e Vjosës pranë ushtarëve të Republikës së Kosovës, ka qenë mënyra se si Noizy, ka zgjedhur ta uroj Presidenten e re.

Ndërsa, këngëtarja Elvana Gjata, ka mbishkruar – “ Urime Presidente, Vjosa Osmani. Krenare për ty Kosovë”.

“Urime Presidente, Vjosa Osmani”, është mbishkrimi i këngëtares, Besa Kokëdhima, teksa ka postuar fotografinë e Osmanit.

Përgëzime për Vjosa Osmanin kishte edhe nga Maqedonia e Veriut.

Këngëtarja, Altuna Sejdiu, për publikun e njohur si, Tuna, ka postuar një fotografi përuruese për detyrën e re të Vjosa Osmanit.

“Forca e Femrës”, ka qenë mbishkrimi i përzgjedhur nga Tuna, i cili na ktheu pas në kohë kur ajo kishte publikuar këngën e saj po me këtë titull, në bashkëpunim me këngëtaren nga Shqipëria, Jonida Maliqi.

Urimet për Presidenten e re të Republikës së Kosovës, shënuan ardhje edhe nga Australia.

Këngëtarja kosovare, Vesa Luma, e cila tash e sa vite jeton në Zelandë të Re, ka zgjedhur të bëjë një postim të veçantë, kushtuar Vjosa Osmanit dhe postit të saj të ri politik.

“Urime Presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Çfarë fjalimi! Vajzat e kanë vendin ku ato dëshirojnë. Faleminderit që gjatë këtyre viteve dëshmove me vullnet e shumë punë, një grua mund të jetë zëri i miliona qytetarëve!”, është një pjesë nga mbishkrimi që Luma e ka bërë në videon e publikuar, ku shihet Osmani teksa mban fjalimin në Kuvend, pas zgjedhjes si Presidente.

Urime për Osmanin kanë shprehur edhe këngëtarët e tjerë si; Rina Balaj, Fjolla Morina, 2PO2 e Art Abazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore