Teknologji

Yahoo Answers do të mbyllet


Platforma pyetje-përgjigje në internet, Yahoo Answers, e cila ka nisur më shumë se 15 vjet më parë duke u kthyer në një nga hapësirat më të mëdha të informacionit dhe dezinformimit, pritet të mbyllet më datë katër të muajit maj.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se faqja e internetit në pronësi të Verizon-it, ka njoftuar përmes një deklarate të shkurtër në faqen kryesore të Yahoo Answers, anulimin e platformës.

Më datë 20 prill, faqja do të hyjë në modalitetin “vetëm lexo’’. Kjo do të mundësojë për përdoruesit e pasionuar me faqen të shkarkojnë përmbajtje prej saj deri më 30 qershor.

“Teksa Yahoo Answers dikur ka qenë pjesë kryesore e produkteve dhe shërbimeve të Yahoo-së, gjatë viteve ajo është bërë më pak e popullarizuar pasi edhe nevojat e anëtarëve tanë kanë ndryshuar”, ka thënë kompania.

Yahoo ka shtuar se “për këtë qëllim, ne kemi vendosur t’i zhvendosim burimet tona larg Yahoo Answers për t’u përqendruar te produktet që u shërbejnë më mirë anëtarëve tanë dhe për të përmbushur premtimin e Yahoo-së për të siguruar përmbajtje me cilësi të lartë të besuar”.

BBC shpjegon se lëvizja e kompanisë vjen teksa faqja është shndërruar në një “gropë të teorive të konspiracionit dhe pyetjeve të çuditshme”.

Verizon-i e ka blerë Yahoo-në në vitin 2017 për 4.4 miliardë dollarë dhe ajo bënë pjesë në ombrellën e Verizon Media Group.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore