Lajme

Xi Jinping i kërkon Ushtrisë të përgatitet për “luftë reale”, me ç’qëllim?


Ministri i Jashtëm tajvanez Joseph Wu është i bindur që Kina është duke u përgatitur për luftë, e duke u përgatitur sa më mirë. Qartë ai vetë e deklaroi menjëherë pas tre ditëve të manovrave në shkallë të gjerë, të mbajtura rreth ishullit, nga forcat e armatosura kineze.

Alarmi i përjetuar nga Tajvani ka qenë maksimal për shkak të inkursioneve të avionëve luftarakë bombardues të Pekinit.

35 avionë ushtarakë dhe tetë anije luftarake kineze u dërguan rreth ishullit dhe u mbajtën deri ditën e hënë, me 14 avionë që për herë të parë tejkaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit.

Xi Jinping, në raportin e dhënë në rrjetin shtetëror kinez “CCTV”, u kërkoi forcave të tij të armatosura “të forcojnë stërvitjen si të ishin luftime reale”.

Por përveç nivelit ushtarak, presioni i Kinës mbi ishullin, i konsideruar si pjesë “e patjetërsueshme” e territorit të saj për t’u ribashkuar edhe me forcë nëse është e nevojshme, vazhdon në nivele të ndryshme.

Parim tashmë i afirmuar i Republikës Popullore të Kinës që në themelimin e saj është që “ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e saj”.

Në vitin 1949, kur Mao Ce Duni fitoi luftën civile dhe shpalli Republikën Popullore të Kinës, Uashingtoni mori anën e Chiang Kai-Shek, i cili ishte vendosur në Tajvan me mbetjet e ushtrisë dhe qeverisë së tij.

Por pas vizitës së Nixon në 1972 në Kinë akulli mes dy vendeve u shkri. SHBA-të njohën Republikën Popullore në 1979 dhe Amerika pranoi parimin themelor e qënies së një Kine të vetme, me disa dallime: ribashkimi në një Kinë të vetme do të ishte i pranueshëm vetëm nëse paqësor dhe konsensual.

Udhëtimi i Nixonit përtej Murit i lejoi të dy vendet të fillonin të normalizonin marrëdhëniet e tyre dhe hapi rrugën zhvillimit ekonomik të Republikës Popullore.

Por tashmë nëse është e qartë se Pekini nuk ka ndërmend të presë përgjithmonë ribashkimin e premtuar, pyetja që lind është nëse  Xi Jinping po kërcënon me luftë sepse vërtetë do të kryejë hapin e madh apo ka tjetër arsye pas kësaj lëvizjeje.

E para që të vjen në mendje është një arsye e brendshme dhe egoiste. Kina është në një krizë ekonomike dhe sekretari i Partisë po përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen e kinezëve të shqetësuar për të ardhmen me një diversion nacionalist.

Kështu që Xi duke shtyrë përpara nacionalizmin rrit tensionin e kërkon të bëhet superfuqia dominuese në Azi dhe të marrë pozicionin që “i përket” në rendin e superfuqive globale.

E nga sa duket mundësitë për të realizuar ambiciet nuk i mungojnë. Opsioni i luftës në këtë rast do të dukej i hapur.

Nga ana tjetër Joe Biden është zotuar të mbrojë Tajvanin në rast të një pushtimi. Një ligj i Kongresit në Uashington, Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin i vitit 1979, i detyron presidentët amerikanë t’i ofrojnë Tajvanit mjetet për t’u mbrojtur kundër agresionit të mundshëm (edhe nëse Pekini do ta quante atë një operacion ribashkimi).

Ai ligj nuk thotë nëse SHBA-të do të duhet të dërgojnë ushtarët e tyre të vdesin për të shpëtuar demokracinë tajvaneze (e njohur si shtet nga vetëm 14 qeveri në botë).

Por ai ligj ka për qëllim ruajtjen e status quo-së (status quo për të cilën Biden nuk ka ezituar të kujtojë që ka funksionuar deri tashmë), shmangien e një lufte apo edhe një përplasjeje “të thjeshtë” luftarake, të parandalojë një forcë politike në Taipei që të ëndërrojë shpalljen e pavarësisë formale duke “detyruar” Kinën të lëvizë përfundimisht.

Ndaj, ndërkohë, industria amerikane e mbrojtjes është në përgatitje të udhëtimit të parë në Taipei që nga viti 2019 me zbarkimin në fillim të majit të rreth 25 kontraktorëve ushtarakë.

Qëllimi është prodhimi i përbashkët i dronëve (ajror, tokësor dhe nëndetës) dhe municionesh, të dobishme për të penguar një pushtim kinez. Për këtë arsye Biden po i kërkon gjithashtu disa vendeve evropiane që të furnizojnë ishullin me armë. Suedia është ndër të parat mes kandidatësh, me sistemet e saj të artilerisë precize Excalibur, të zhvilluara nga gjigandi amerikan Raytheon Missiles & Defense dhe partneri i saj suedez BAE Systems Bofors.

Inteligjenca amerikane beson se kohët nuk presin shumë dhe se presidenti Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë të jetë gati për pushtimin në vitin 2027, vit kur skadon mandati i tij i tretë dhe përkon me 100 vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Cilat janë opsionet ?

Opsioni i luftës është i hapur dhe është një skenar përpara syve të të gjithëve. Xi përdor çdo takim të nivelit të lartë midis liderëve amerikanë dhe tajvanezë për manovra ushtarake shumë të përafërta me simulimin e një pushtimi.

Nga njëra anë faktorët që mund të çojnë në një përballje luftarake janë disa: angazhimi ushtarak amerikan në Ukrainë (furnizimi me armë dhe sistemet e armëve); mosha e vetë Xi, i cili i cili pa dyshim do të donte të kujtohej si lideri që e ktheu Tajvanin nën autoritetin e plotë të Pekinit; perceptimi i Pekinit për “dekadencën” e shoqërisë dhe ekonomisë së brendshme amerikane dhe pas vizitës së Macron së fundmi në Kinë dhe daljes së tij Xi Jinping vëzhgon përçarjen perëndimore në dosjen e Tajvanit si një pikë në favor të tij.

Por nga ana tjetër faktorët që pengojnë këtë përballje janë të tjera: rreziku i një reagimi shumë të fortë amerikan në rast të një sulmi të armatosur dhe rreziku i një përshkallëzimi shkatërrues; pasojat ekonomike për Pekinin dhe “Leksioni” i dështimit të Putin-it në Ukrainë.

Nuk duhet harruar që Tajvani është një ishull. Për të organizuar operacione të mëdha uljeje në një ishull (të tilla si Okinawa ose Iwo Jims gjatë Luftës së Dytë Botërore) do të duhej të kesh kontrollin e qiellit dhe detit. Dyshimet janë të forta që Republika Popullore Kineze do të ishte e bindur për ta arritur këtë.

Kështu që njëri opsion i Pekinit mund të jetë një bllokadë e zgjatur ajrore-detare, me pasojë mbytjen ekonomike, e cila synon dorëzimin e Tajvanit pa krijuar një casus belli për një ndërhyrje ushtarake amerikane.

Një opsion tjetër i tij mund të jetë plani fillestar i Putin për Ukrainën, me rrëzimin e Zelensky-t dhe krijimin e një qeverie kukull pro Putin.

Kështi që Xi mund të mendojë të alternojë kërcënimet me lëvizje diplomatike.

Lideri kinez sapo priti ish-presidentin tajvanez Ma Ying-jeou. Ishte vizita e parë në histori nga një ish-lider tajvanez në Kinë.

Ma Ying-Jeou i përket partisë nacionaliste Kuomintang (KMT), e cila sot është pro-kineze. Një nga idetë e tij është krijimi i një tregu të përbashkët që bashkon ishullin me Republikën Popullore duke filluar nga ekonomia.

Nëse në zgjedhjet e 2024 Xi arrin të favorizojë humbjen e demokratëve me pasojë rikthimin në pushtet të KMT-së, lufta mund të ishte e padobishme.

Me këtë gur XI do të godiste dy zogj: nga njëra anë duke evituar luftën do të akreditonte veten si superfuqi paqedashëse, gjë të cilën po mundohet ta bëjë së fundmi në skenarin ndërkombëtar. Dhe nga ana tjetër, nën stilin e Hong Kong-ut do t’i jepte fund demokracisë tajvaneze.

Biden dënoi përballjen e fundit të Xi kundër Tajvanit, por me tone të matura. Pa dyshim ky nuk është momenti i duhur për hapjen e një fronti lufte të re.

Nga ana tjetër disa nga gjeneralët amerikanë, duke shqyrtuar evolucionin e balancës së forcave në Azi, dyshojnë se një luftë në mbrojtje të Tajvanit mund të fitohet aktualisht.

Por në të gjitha rastet nuk ka dyshim që Tajvani është absolutisht strategjik për Shtetet e Bashkuara.

Nëse ishulli demokratik do të binte, besueshmëria amerikane në Paqësor do të vuante nga poshtërimi dhe i gjithë sistemi i tij i aleancës në Azi do të shembej.

As Koreja e Jugut dhe as Japonia nuk do të ndjeheshin të sigurt nën një ombrellë mbrojtëse amerikane të dobësuar nga kinezët në Tajvan.

Kreu i CIA-s William Burns  duke iu referuar skenarit të paraqitur nga XI për të qenë të përgatitur realisht për luftë, teksa fliste në një leksion së fundmi në Universitetin Rice në Houston nënvizoi megjithatë se “të qenit gati nuk do të thotë se XI ka marrë vendimin për të shkuar domosdoshmërish në luftë në 2027 ose 2028 ose 2026” duke pasur parasysh variablat në terren.

Megjithatë, Burns pranoi, se “rreziqet e një konflikti të mundshëm ka të ngjarë të rriten”, duke shtuar se shpreson në rivendosjen e komunikimit midis ushtrisë nga Uashingtoni dhe Pekini.

Nuk ka dyshim se Xi do të konfirmohet edhe për pesë vjet të tjera, por herët a vonë çështja e Tajvanit do të marrë fund, si një kambial.

Do të duhen kapacitete të mëdha për dialog dhe mirëkuptim mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, për të shmangur një konfrontim.

Nixon dhe “java që ndryshoi botën”

Pas 22 vitesh marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Popullore të Kinës pothuajse inekzistente, të ndara nga ideologji të kundërta, nga Lufta e Vietnamit, nga çështja e Tajvanit dhe ajo koreane, më 21 shkurt 1972, Air Force One i Richard Nixon zbarkoi në aeroportin e Pekinit.

Ishte hera e parë në histori që një president në detyrë i SHBA-ve vizitonte Kinën.

Pjesa më e madhe e meritave të udhëtimit historik të Nixonit në Kinë i takon Henry Kissinger, këshilltar për sigurinë kombëtare, i cili organizoi gjithçka deri në detajet më të vogla.

Ai vetë do të testonte ujërat duke kryer, në korrik 1971, operacionin legjendar Marco Polo.

Kissinger në verën e vitit 1971, ishte i angazhuar në një turne aziatik në Saigon, Bangkok, New Delhi dhe në Islamabad.

Kina nuk do të ishte në stacionet e tij, edhe pse në fshehtësinë më të madhe ai do ta vizitonte me një organizim rrufe.

Henry Kissinger ishte në Pakistan, brenda pallatit presidencial në pritjen e organizuar nga presidenti pakistanez Yahya Khan.

Gjatë asaj darke, mysafiri amerikan u sëmur, ndoshta për shkak të ushqimit ekzotik, lodhjes apo vapës mbytëse.

Autoritetet lokale morën menjëherë masa për ta transportuar Kissingerin në një vilë të vendosur në një lartësi prej 2 mijë e 400 metrash, por makina që duhej ta transferonte në rezidencën e re mbeti bosh.

Askush nuk vuri re asgjë.

Kissinger, në realitet, nuk ishte aspak i sëmurë. Përkundrazi, së bashku me zëvendësin e tij, Winston Lord, dy agjentë sekretë dhe një ndihmës, ai u dërgua në fshehtësi të madhe në një aeroport ushtarak ku e prisnin katër diplomatë kinezë.

I maskuar për të mos u njohur, hipi në një aeroplan me destinacion Pekinin. Brenda 48 orësh, ai mori pjesë në gjashtë takime intensive me kryeministrin kinez Zhou Enlai.

Dy ditë më vonë, më 11 korrik, Kissinger u rishfaq në vilën pakistaneze duke pretenduar se ishte shëruar.

Askush nuk e vuri re mungesën e tij. Dhe pa pritur të kthehej në SHBA Kissinger i telegrafoi Presidentit Nixon një fjalë emblematike: “Eureka”.

Vizita e Nixonit në Kinë më në fund ishte organizuar dhe ai udhëtim do të ishte një nga kthesat më të mëdha të historisë së Luftës së Ftohtë.

Për të organizuar Operacionin “Marco Polo”, si u quajt  u desh një aktivitet intensiv diplomatik që zgjati rreth tre vjet.

Qëllimi i Nixonit ishte të takonte Mao Ce Dunin. Për të mirëpritur presidentin e Shteteve të Bashkuara në 1972 në Pekin, ishin drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste Kineze të udhëhequr nga kryeministri Zhou Enlai.

Udhëtimi i Nixonit në Kinë ishte i paprecedentë në një botë të ndarë në dy blloqe ku edhe një foto e vetme nuk depërtonte për publikun perëndimor.

Por jo vetëm kaq, vizita po kryhej nga një prej presidentëve amerikanë konservatorë, të djathtë dhe më antikomunistë.

Fakti që ai vizitoi Kinën, epiqendrën e komunizmit së bashku me Bashkimin Sovjetik, dhe se u takua me Mao-n, e bëri atë një politikan të aftë dhe pragmatik në sytë e gjithë botës.

Udhëtimi i Nixonit në Kinë zgjati shtatë ditë, nga 21 deri më 28 shkurt 1972, dhe preku tre qytete: Pekinin, Hangzhoun dhe Shangain, me një ndalesë nën hijen e Murit të Madh.

Ndërsa Nixon u takua me politikanë dhe diplomatë, gruaja e tij vizitoi fabrikat, shkollat ​​dhe spitalet.

Por pjesa më interesante e udhëtimit ishte takimi i tij ballë për ballë me Mao Ce Dunin. Dialogu, në të cilin morën pjesë edhe Kissinger dhe Lordi, zgjati rreth një orë.

Nëse do të kishte vetëm një takim me Maon, kryeministri kinez Zhou Enlai mori pjesë në takime të ndryshme.

Këto takime sollën në jetë Komunikatën e Shangait, të nënshkruar nga Nixon në qytetin kinez me të njëjtin emër.

Për Zhou Enlai Tajvani ishte thelbi dhe do të shkonte menjëherë në atë pikë siç kujton Kissinger. “Për ju, ai ishull ka pak vlerë strategjike, për Kinën është një plagë e hapur, nëse nuk e zgjidhim menjëherë çështjen, do të jetë e kotë të ecim përpara në bisedime”, deklaronte ai në atë mbledhje.

Kissinger do të mbante një lloj ambiguiteti në përgjigje duke kërkuar kohë drejt zgjidhjes së menduar nga Kina.

Memorandumi ishte teksti i parë i publikuar bashkërisht nga dy qeveritë, kineze dhe amerikane, si dhe hapi i parë në normalizimin diplomatik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Në fund, SHBA-të pranuan të njohin Republikën Popullore si të vetmen qeveri legjitime të Kinës, duke i besuar Tajvanit fatin e saj “në një horizont kohor të përputhshëm me nevojat e brendshme të Shteteve të Bashkuara”.

Komunikata përfshinte, ndër të tjera pra, njohjen nga SHBA-të të parimit “Një Kinë”, pra ekzistencën e një shteti të vetëm kinez, me Tajvanin pjesë integrale të Republikës Popullore.

Nga ana tjetër, asnjë nga të dy vendet nuk duhet të kërkonte hegjemoninë në Paqësor, duke marrë përsipër të kundërshtonte zgjerimin e mundshëm në zonë të një fuqie të tretë të etur për të dominuar rajonin.

Dhe së fundi dokumenti parashikonte normalizimin gradual të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Prandaj, Komunikata e Shangait mund të konsiderohet si hapi kyç në shkrirjen diplomatike kinoeze-amerikane dhe është ende një dokument teorikisht i vlefshëm sot.

Udhëtimi i Nixonit në Pekin ndihmoi në zgjerimin e përçarjes midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, duke e shtyrë Moskën të rishikonte ambiciet e saj në kontinentin aziatik.

Kina filloi transformimin e saj duke u hapur fillimisht ndaj ekonomisë perëndimore dhe më pas duke zbatuar reforma të paprecedentë ekonomike.

Menjëherë pas kësaj, Republika Popullore Kineze hapi dyert investimeve të huaja duke filluar ndërtimin e të ashtuquajturit socializëm me karakteristika kineze i cili vazhdon ende sot.

Kissinger tejet i kënaqur nga rezultati do të festonte kryeveprën e tij strategjike duke nënvizuar se “Diplomacia nuk duhet të jetë sentimentale, por e parashikueshme”.

Dhe nuk mungoi të vinte në dukje në dukje faktin që “Pekini ka dëshmuar të jetë jashtëzakonisht fleksibël në kohën e zbatimit të parimit se ka vetëm ‘Një Kinë’, presidentët amerikanë kanë ndjekur me mjeshtëri një pozicion të ekuilibruar, duke iu afruar Republikës Popullore të Kinës dhe duke ruajtur kushtet për zhvillimin e demokracisë në Taipei”.

Vetëm pak javë më parë, përballë rritjes së tensionit mes SHBA-ve dhe Kinës, Kissinger paralajmëroi se  «Tajvani nuk mund të jetë qendra e marrëdhënieve, SHBA-të nuk duhet të arrijnë as me manovra as përmes një procesi gradual të krijojnë një lloj zgjidhjeje të ‘dy Kinave’, por Kina duhet të vazhdojë të ushtrojë durimin e saj siç e ka ushtruar deri tani”.

Nëse është e qartë se në çdo rast Pekini nuk ka ndërmend të presë përgjithmonë për ribashkimin e premtuar, pyetja e vetme është a jemi përballë një lufte të re?

Përballë konfuzionit të ri strategjik mes dy vendeve, dhe faktorëve pro dhe kundër nga të dy palët përgjigja e dhënë është që ndoshta nuk jemi përpara një lufte, jo akoma, deri tani të paktën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore