Lajme

Xhupi i kashmirtë i Putinit vlen 12 mijë euro


Ai doli me një veshje jo të zakonshme përpara popullit rus në stadiumin Luzhniki, për të kremtuar tetë vjetorin e aneksimit të Krimesë, ndërkohë që Ushtria ruse po uzurpon territorin ukrainas.

Por, ai nuk arriti dot t’i shpëtonte asnjë syri vigjilent. As atyre të personave që ndjekin modën!

Xhupi blu i errët, i mbushur, i pazakontë i Vladimir Putin, kushton plot 12 mijë euro dhe është prodhuar nga marka prestigjioze piemonteze Loro Piana, e cila specializohet në përpunimin e Kashmirit.

Po, 12 mijë euro!

Në fakt, kompania është blerë në vitin 2013 nga gjigandi botëror i modës LVMH dhe ka qenë pjesë e grupit prej asaj dite.

Nëse do ta krahasonim çmimin e xhupit sot, me vlerën e valutës ruse, do të rezultonte se ai kushton rreth 1.5 milionë rubla.

Një shifër kjo e çmendur për çdo qytetar rus…

Gjithsesi, vetë kompania, është distancuar nga veprimet e Putinit, duke hedhur një postim në Instagram mbi veshjen e tij.

“Është e qartë se ne e kemi bërë zgjedhjen e krahut tonë. Putini duhet të reflektojë mbi çfarë po bën të përjetojë popullin e Ukrainës”, shkruhet në postim.

Nga ana tjetër, komentet kanë qenë të shumta nga ndjekësit, të cilët më së shumti, kanë nënvizuar faktin se si populli rus vuan me rroga të ulëta, ndërsa Putini, sa vjen e pasurohet më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore