Shqipëria

Xhubleta është zyrtarisht pasuri e gjithë njerëzimit


Xhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit janë përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Për këtë ka folur edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, duke e quajtur një dhuratë për 110-vjetorin e Pavarësisë.

“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë”, ka thënë ajo.

Margariti ka treguar se, pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Tanimë, xhubleta është “pasuri e gjithë njerëzimit”.

Koleksionistja Luljeta Dano ishte zëri i parë i nismës së përfshirjes së xhubletës nën mbrojtjen e UNESCO-s, e cila ende vazhdon edhe sot.

Ajo ka folur para pak kohësh për Albanian Post.

Sipas saj, të dhënat historike dhe antropo-arkeologjike të kohëve të sotme, tregojnë se Xhubleta mund të jetë minimalisht prezente prej katër mijë vjetësh.

“Kampione” apo subjekte të ngjashme me të, janë gjetur në Bosnie, gjithashtu dhe në zona të tjera në Mesdhe – gjë që e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetërimet antike të Mesdheut.

Xhubleta na paraqitet sot si veshje tradicionale e grave në Alpet Shqiptare, por misioni i saj për të veshur gruan, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me funksionin utilitar të të veshurit.

Shtjella thithëse e Xhubletës gjendet më shumë në atë që nuk duket dhe që nuk dimë për këtë veshje monumentale.

Ndoshta, si gratë arbëreshe që kur u vendosën në jug të Italisë pas vdekjes së Skënderbeut në kezat e tyre qëndisën vulat e fshehta të fisnikërisë arbre që do të tretej me shekujt, ashtu edhe Xhubleta, si një veshje kozmonauti, ka shërbyer si një transportuese kalimesh nga koha në kohë, me funksion të lartë kultik për të lartësuar hyjninë e lashtë, Magna Matter, Nëna e Madhe, për të mbrojtur zinxhirin e pashkëputur të jetës, me shenjëza të mirëpërcaktuara e të gjalla që ndikojnë rrjetën energjitike të natyrës së jetës.

“Xhubleta në kulturën shqiptare vesh amën e trashëgimisë kulturore, si histori dhe si strehë shpirtërore”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore