Kulturë

Xhubleta dhe UNESCO/ Luljeta Dano për Albanian Post


Shkrimtare, koleksioniste dhe Drejtore e Qendrës Antropologjike “XHUBLETA”, Luljeta Dano ishte zëri i parë i nismës së përfshirjes së xhubletës nën mbrojtjen e UNESCO-s (Organizata e Edukimit, Shkencës dhe e Kulturës së Kombeve të Bashkuara), e cila ende vazhdon edhe sot. Në 2006 revista “Mehr Licht” ka shkruar për herë të parë për jehonën e Luljetës kushtuar xhubletës.

Dano u përgjigjet disa pyetjeve për Albanian Post, për të njohur historinë e xhubletës.

Të dhënat historike dhe antropo-arkeologjike të kohëve të sotme, tregojnë se Xhubleta mund të jetë minimalisht prezente prej 4 mijë vjetësh. Më konkretisht, “kampione” apo subjekte të ngjashme me të, janë gjetur në Bosnie, gjithashtu dhe në zona të tjera në Mesdhe – gjë që e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetërimet antike të Mesdheut.
Xhubleta tradicionale e një femre nga Shqipëria e Veriut

Çfarë është xhubleta për këdo që sot është kurioz?

Xhubleta na paraqitet sot si veshje tradicionale e grave në Alpet Shqiptare, por misioni i saj për të veshur gruan, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me funksionin utilitar të të veshurit.

Në përpjekjen time shumëvjeçare për ta njohur këtë veshje të sofistikuar ceremoniale, intuitivisht ndiej se fuqia e saj burimore nuk qëndron vetëm në atë që duket apo në çfarë dimë për të.

Shtjella thithëse e Xhubletës gjendet më shumë në atë që nuk duket dhe që nuk dimë për këtë veshje monumentale.

Ndoshta, si gratë arbëreshe që kur u vendosën në jug të Italisë pas vdekjes së Skënderbeut në kezat e tyre qëndisën vulat e fshehta të fisnikërisë arbre që do të tretej me shekujt, ashtu edhe Xhubleta, si një veshje kozmonauti, ka shërbyer si një transportuese kalimesh nga koha në kohë, me funksion të lartë kultik për të lartësuar hyjninë e lashtë, Magna Matter, Nëna e Madhe, për të mbrojtur zinxhirin e pashkëputur të jetës, me shenjëza të mirëpërcaktuara e të gjalla që ndikojnë rrjetën energjitike të natyrës së jetës.

 

Çfarë rëndësie ka Xhubleta në kulturën dhe historinë shqiptare?

Prof. Afërdita Onuzi e nisi një trajtesë të saj kushtuar Xhubletës, më 29 shtator 2018, me fjalët e Ungjillit sipas Gjonit: “E para ishte fjala! Kurse në trashëgiminë kulturore shqiptare, e para ishte xhubleta!”

Atribute prej së larti, studiuesit e mirënjohur shqiptarë dhe të huaj, ia blatojnë xhubletës që nga referenca e parë që kemi për të, si veshje e grave kelmendase, rreth vitit 1750, kur Daniel Kordinez vizitoi kelmendaset e Sremit. “As palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta”, shkroi Kordinez.

Në atë që Carl Gustav Jung e quan ‘Pavetëdije Kolektive’, ku arketipet shtresëzohen nga pavetëdija në vetëdijë dhe përbëjnë djepin shpirtëror ku përkundet dhe trashëgohet gjenoma e një populli, kostumi kombëtar i gruas me Xhubletë shndërrohet nga veshja reale e personazheve gra, figura historike të lavdishme, si Nora e Kelmendit, para katërqind apo katërqind e tetëdhjetë vitesh dhe Tringë Smajl Martini, (1880 – 1917), nga malet e Grudës në veshjen simbol të figurave mitologjike e shprehjes artistike të Rozafës, zanave të maleve, Ajkunës, Zonjës së Parë në Eposin e Kreshnikëve, si dhe të vetë Nënës Shqipëri.

Xhubleta në kulturën shqiptare vesh amën e trashëgimisë kulturore, si histori dhe si strehë shpirtërore.

Cili ishte motivimi i këtij angazhimi dhe në çfarë faze është procesi?

Vijon puna për përgatitjen e dosjes së Xhubletës që do të dorëzohet në UNESCO.

Ky projekt është pjesë e memorandumit që u nënshkrua në Razëm, më 23 nëntor 2020, Memorandumi i Mirëkuptimit, mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, AADF, për përgatitjen e katër dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë kulturore shqiptare në listën e UNESCO-s, një prej të cilave është dhe xhubleta.

Xhubleta si dijebërje e teknologjive të prodhimit të saj, për fat është ende e gjallë, por bartëset e saj janë kryesisht të moshuara, pra, janë nga të fundit që mund ta përcjellin këtë dëshmi te gjeneratat e reja.

Veshja me xhubletë gëzon statusin ‘kryevepër’ e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe përsëpari është e rëndësishme për vetë komunitetin e trevës etnologjike që e ka.

Për shkak të daljes nga përdorimi i përditshëm, komuniteti ka nevojë për plane zhvillimore në biznesin e turizmit, për projekte që ndihmojnë për mbajtjen në jetë të dijebërjes së xhubletës.

Cilët janë kriteret që duhen përmbushur për apelimin e më pas, për përfshirjen e një artefakti/objekti kulturor nën mbrojtjen e UNESCO-s?

Që një objekt kulturor – artefakt apo një dukuri e trashëgimisë kulturore jomateriale e popujve të botës të jetë nën patronatin e UNESCO-s, duhet të plotësojë një ose dy nga dhjetë kriteret që UNESCO ka listuar.

Për vetë natyrën e thellë polivalente të asaj që xhubleta është, besojmë se i plotëson kushtet e urgjencës.

Në gjykimin tuaj personal, më pas në atë teknik, nëse ka, çfarë përfitimesh do t’i sjellë Shqipërisë mbrojtja e Xhubletës nga UNESCO?

Nëse xhubleta do ta fitojë statusin e mbrojtur nga UNESCO, si pasuri e njerëzimit në rrezik, kjo urgjencë do i sigurojë asaj praktika më të favorshme për ruajtjen, konservimin, promovimin dhe zhvillimin nga institucionet përgjegjëse të kulturës e turizmit, si ato qendrore në Tiranë, edhe nga institucionet lokale të hartës së xhubletës ku banojnë bartësit e saj në Veriun e Shqipërisë.

Turizmi kulturor është gjithnjë i orientuar nga kjo listë vlerash nga UNESCO, kështu që për vetë komunitetin do të jetë një hapësirë e volitshme në zhvillimin e biznesit të turizmit dhe jetës kulturore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore