Lajme

Xhaxhai i Glauk Konjufcës emërohet këshilltar i ministrit – Rabit Konjufca: Edhe na kemi nevojë të jetojmë


Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës

Përveç emrit dhe detyrës, në web-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës nuk jepet as një e dhënë tjetër.

Rabit Konjufca, xhaxhai i Kryeparlamentarit të Kosovës, Glaukut, është emëruar Këshilltar Politik në këtë ministri.

Për këtë përgjegjësi të re, Konjufca i vjetër thotë se nuk ka qenë në dijeni fare djali i vëllait të tij, Glauku.

“Të jesh e bindur që ai për këtë ka dëgjuar prej juve (mediave)”.

Në një intervistë për Albanian Post, Rabit Konjufca ka thënë se nuk e mbanë mend kur e ka takuar Glaukun dhe nuk e mbanë mend nëse ia ka uruar detyrën e re.

“Nuk kam biseduar as që e kam pa Glaukun, s’e mbaj në mend as qe ja kom uruar detyrën e re, në telefon. S’e mbaj mend për herë të fundit kur jemi takuar”.

Si këshilltar Politik Rabit Konjufca tha se e mandatoi vetë Ministri Armend Mehaj.

“Më ka emëruar Ministri. Me Ministrin jam taku, me Ministrin kam biseduar, ja kam shpjeguar karrierën time edhe u krye puna, është punë e Ministrit kjo”, ka thënë Konjufca.

I pyetur se cili do të jetë kontributi i tij në Ministri dhe cilat janë prioritetet e tij, Rabiti ka thënë se ai është “vetëm këshilltar politik”.

Por kjo nuk është puna e tij e parë në Ministri. Rabit Konjufca për Albanian Post ka treguar se ai ka shërbyer në Ministri dhe në FSK që nga viti 2000.

“Unë kam punuar në ministri, kam punuar në FSK, prej vitit 2000, në të gjitha proceset kam qenë pjesëmarrës deri më tani, në zhvillimet e institucioneve tona të sigurisë”.

Konjufca thotë se ka qenë i burgosur politik dhe ka dhënë kontribut në forma të ndryshme, ndër vite.

“Në atë sistem kemi vuajtur, kemi qenë të diferencuar, e kemi pas mbiemrin Konjufcë kemi qenë të dënuar, të djegur politikisht, tani pas luftës edhe na kemi nevojë të jetojmë. Unë kam një karrierë brilante profesionale”.

Rabit Konjufca - Këshilltar politik

Feim Tahirsylaj, këshilltar për medie në kabinetin e Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, përmes telefonit ka thënë për Albanian Post se ky emërim është i natyrshëm.

“Ato janë emërime që bëhen në vijë politike, është e natyrshme domethënë, nuk është diçka që bie ndesh me ligjin ose këto rregullat”.

Tahirsylaj ka mohuar që emërimi i Rabit Konjufcës ka të bëjë me lidhjen që ai ka me kryetarin e parlamentit.

“Në i vendosim njerëzit që i shohim të arsyeshme që mund të kryejnë punën për të cilën caktohen. Po ju them prapë kjo nuk është diçka që është në kundërshtim as me ato që i kemi premtuar e as me… do të thotë është thjeshtë një këshilltar i kabinetit”.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me Arlind Manxhukën, zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk ka dashur ta komentojë këtë zhvillim. Ka thënë se partia nuk përgjigjet rreth këtyre ngjarjeve.

“Thirrni në qeveri, aty është zëdhënës Përparim Kryeziu dhe pyeteni atë”, pohoi Manxhuka duke shtuar që “mos më thirrni më”.

Redaksia ka provuar të kontaktojë edhe me Kryeziun për një koment rreth punësimit të familjarit të kryeparlamentarit, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Më vonë, në rrjetin social Facebook, Kryeziu ka dhënë një shpjegim.

Siç shkruan Kryeziu, “u takon ministrave ta përzgjedhin stafin dhe bashkëpunëtorët e tyre që ata mendojnë se do t’u ndihmojë dhe që i besojnë në kryerjen e detyrave dhe në përmbushjen e zotimeve”.

Ai nuk e ka adresuar fare faktin që Rabit Konfjuca është i afërt i Glauk Konjufcës.

Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar ashpër emërimin e të afërmve të politikanëve në pozita publike. Edhe vetë Albin Kurti gjatë fushatës së fundit, në një tubim me qytetarë, ishte shprehur i habitur se si klasa e vjetër politike punësonte kushërinjtë.

“Kushërinjtë janë për t’i thirrur në dasmë” kishte thënë Kurti, “e jo për t’i punësuar”.

Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit doli padiskutueshëm në vendin e parë. Premtimet kryesore gjatë fushatës ishin lufta kundër-korrupsionit krimit të organizuar dhe largimi i fenomeneve të tilla si nepotizmi nëpër institucionet e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore