Lajme

Xhaferi: S’pati plan për atentat ndaj Kurtit, ishin komente në rrjetet sociale


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë plan atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke thënë se “ishin komente në rrjetet sociale”.

Ai gjatë një interviste për “Jeta në Kosovë”, ka theksuar se atentati ndaj Kurtit s’ka të bëjë aspak me realitetin, duke kritikuar mediumin publik të Kosovës për transmetimin e një lajmi të tillë.

“Çështja ishte për të ardhur keq sepse përmes mediumit publik shtetëror jepet informacion gjoja për përgatitje, inskenim të një atentati të mundshëm. Sipas të dhënave që kam, që janë të verifikuara, s’ka të bëjë me realitetin”.

Ndërsa, ka bërë të ditur se paraprakisht kishte komunikuar për përgatitjet e agjencive të inteligjencës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Informacionet e mia flasin se ka pasur korrespodencë në mes të AKI-së dhe shërbimeve përkatëse në Maqedoni të Veriut”.

“Ka pasur komunikim përgatitor, që është protokoll i funksionimit të institucioneve përkatëse për përgatitje të paralajmëruar se kryeministri do të qëndrojë për event të organizuar në Shkup dhe sipas rregullave merren të gjithat masat”, ka thënë Xhaferi.

Sipas tij, përmes kësaj situate dëmtime të shumta janë shkaktuar edhe në kredibilitetin e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI).

“Kjo çështje më shumë dëm i ka shkaktuar AKI-së për besueshmërinë e shkëmbimit të informatave dhe komunikimit në të ardhmen”, ka thënë Xhaferi.

Radio Televizioni Publik i Kosovës, RTK, raportoi javë më parë për një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Shkup.

Sipas RTK-së, burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Sipas RTK-së vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

Por, ky raportim u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore