Shqipëria

Xhaçka: Shqiptarët, faktor stabiliteti dhe orientim euroatlantik për rajonin


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, kanë lançuar edicionin e parë të konkursit “Ngjyrat e Shqiptarëve”.

“Shqipëria ndodhet sot në prag të çeljes së negociatave, ndërkohë që së shpejti do të ulet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Pesha e Shqipërisë në rajon është sot më domethënëse se kurrë, dhe më shumë se kurrë shqiptarët shihen sot si një faktor stabiliteti dhe si një garanci për orientimin euroatlantik të rajonit”, tha Xhaçka në fjalën e saj.

“Arritjet e Shqipërisë”, sipas saj “janë padyshim një zhvillim shumë pozitiv për Kosovën, sepse një Shqipëri më e fortë, është një Shqipëri që mund të bëjë akoma më shumë për Kosovën”.

Nga ana tjetër, homologia e saj kosovare tha se “Ngjyrat e Shqiptarëve” është një iniciativë e hapur edhe për Kosovën, për të gjithë shqiptarët që i rrethojnë dy vendet, gjithashtu edhe për ata që vijnë nga mërgata.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Konkursi “Colours of Albanians” organizohet për herë të parë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Çdokush që do të bëhet pjesë e këtij konkursi mjafton të hedhë një foto ose video nga jeta e përditshme, nga një udhëtim, nga një eksperiencë në Shqipëri apo Kosovë në profilin e tyre në Instagram, duke përdorur si hashtag #ColoursofAlbanians.

Fotot fituese, do të bëhen në finale pjesë e një botimi i cili do të shpërndahet më pas në të gjithë botën, përmes rrjetit të përfaqësive të dy vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore