Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar lidhur me publikimin e një lajmi nga tabloidi britanik “The Sun”, ku përshkruhej një skemë e mundshme e ngritjes së një kampi azilantësh në Shqipëri, duke e përkufizuar atë si një “fake news” të turpshëm.
“Kaq turpëruese të shpërndash këtë lajm të rremë në një media britanike, ku parashikohet ngritja e një kampi në Ballkan, saktësisht Shqipëri, ku do të strehohen emigrantët e jashtëligjshëm, të cilët kalojnë kanalin midis La Manche dhe Britanisë”.
So embarrassing the fake news spreading in the British media about an "offshore hub in the Balkans" namely in Albania to "detain migrants crossing Channel from France". https://t.co/AapHxwhiNw
— Olta Xhaçka🇦🇱 (@xhacka_olta) October 3, 2021
Kjo përgjigje e Xhaçkës vjen pas përgënjeshtrimit që drejtori i Komunikimit pranë Kryeministrisë, Endri Fuga, i bëri lajmit.
Përmes një statusi në median sociale “Twitter” deklaroi se “lajmi i ngritjes së një qendre azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë”.
Më tej, Fuga shkruan se Shqipëria hapi dyert për katër mijë afganë e jemi krenarë për këtë.
Lajmi se 🇦🇱 do ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. 🇦🇱 hapi dyert për 4 mijë afganë e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne.
— Endri Fuga (@endrifuga) October 3, 2021
Por, në rastin e marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, drejtori i Komunikimit shprehet se autoritetet shqiptare nuk bëjnë “detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne”.
The Sun
Më herët, tabloidi britanik “The Sun”, zbuloi se qeveria britanike po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për ngritjen e një qendre përpunimi për azilkërkuesit në Shqipëri.
Kjo do të thotë që emigrantët të cilët kalojnë “kanalin anglez” nga Franca do “të ndalohen” në Shqipëri.
“Hyrësit e paligjshëm do të fluturojnë 1 mijë e 500 kilometra në një qendër në det të hapur në Ballkan, ndërsa kërkesat e tyre janë duke u përpunuar”, shkruan “The Sun” lidhur me detajet e funksionimit të qendrës.
Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, shpreson që kjo perspektivë do të pengojë ata që planifikojnë të bëjnë këtë kalim të rrezikshëm.
Ndër të tjera Patel, sipas “The Sun”, ka ravijëzuar se qeveritë “duhet të jenë në gjendje të konsiderojnë çdo mundësi” kur merren me azilkërkuesit.
E përditshmja britanike shkruan ndër të tjera se zyrtarët në Londër dhe Tirana zyrtare janë afër përmbylljes së një marrëveshjeje për qendrën e përpunimit.
Mbretëri e Bashkuar
Shefi i shtabit të kryeministrit britanik Boris Johnson, Dan Rosenfield, është shtytësi kryesor i kësaj politike.
Duke cituar një burim të brendshëm, “The Sun” shkruan se Patel dëshiron që kjo marrëveshje dhe ngritja e qendrës së përpunimit të ndodhin.
Më tej burimi i panjohur shton se negociatat janë në një fazë teknike – duhet përcaktuar vendndodhja dhe numrat e saktë.
Krijimi i një qendre përpunimi jashtë territorit britanik është pjesë e “Projektligjit të ri për Kombësinë dhe Kufijtë”.
Propozimi vjen mes presionit në rritje për të vepruar, pas një rekordi prej më shumë se 17 mijë emigrantësh që kanë kaluar në Britani nga Franca deri më tani këtë vit.
Ministrat gjithashtu duan të shkatërrojnë bandat e kontrabandës së njerëzve që kërkojnë mijëra paund për kalimet.
Mbretëria e Bashkuar aktualisht nuk ka marrëveshje dypalëshe me shtetet e BE-së për kthimin e azilkërkuesve.
Reagimet
Çështja e kalimeve të emigrantëve shihet si shumë e dëmshme për qeverinë britanike.
30 deputetët konservatorë që përbëjnë “Grupin e Forcave Kufitare” po kërkojnë veprime. Francës i janë premtuar 54 milionë paund për të ndihmuar në ndalimin e kalimeve.
Kohët e fundit u shfaqën pamjet e një stërvitjeje me avionë të blinduar për të “kthyer” anijet që po i drejtoheshin Anglisë.
Një 16-vjeçar me origjinë nga Sudani, u shtyp për vdekje ndërsa përpiqej të hipte në një kamion për në Mbretërinë e Bashkuar në Marck, pranë Calais në Francë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
“Java e Evropës”, Gonzato: Ta shoqërojmë Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së
-
Përurohet shtatorja më e madhe e Skënderbeut në tokën italiane, nga arbëreshët e San Basile-s
-
Shqipëria e dyta në botë për azilantët nën 18 vjeç në raport me popullatën, tregon Eurostat
-
Balla thotë se është koha të krijohet shërbimi vullnetar zjarrfikës
Lajmet kryesore
-
Tre monumente të Skënderbeut në Kalabri, Begaj: Simbol për të gjithë shqiptarët
-
“Java e Evropës”, Gonzato: Ta shoqërojmë Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së
-
Lind manifesti i PSE “Kurrë me ECR dhe ID. Përparimi i ekstremit të djathtë është një kërcënim për BE”
-
Konjufca: BE po pret me padurim të punojë me qeverinë ku bënë pjesë Vulin, po s’janë të gatshëm t’ia heqin masat Kosovës