Gjykata Speciale

Xhaçka për gjyqin e ish-krerëve të UÇK-së: Po bëjmë përpjekje këmbëngulëse që drejtësia të vihet në vend


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, deklaroi se ajo që po ndodh prej më shumë se dy vitesh me marrjen të pandehur të ish-krerëve të UÇK-së nga gjykata speciale “është e dëmshme”.

Lajmi u bë i ditur nga kryediplomatja shqiptare, duke cituar mesazhin e saj pas ministerialit të NATO-s.

Ajo u ndal gjerësisht te procesi gjyqësor ndërkombëtar në Hagë për drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lufta e Kosovës për pavarësi nuk mund të rishkruhet. Ne respektojmë parimin e barazisë para ligjit dhe gjykatën që është krijuar me vendim të Kuvendit të Kosovës, por duke pasur parasysh akuzat që i hapën rrugë kësaj gjykate speciale me vullnetin e atyre që sot janë marrë të pandehur për ta pastruar Kosovën nga kjo njollë. Ajo që po ndodh prej më shumë se dy vjetësh është e dëmshme”, u shpreh fillimisht zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, duket qartë që nuk ka prova që UÇK-ja ka kryer krime lufte dhe që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje për çlirim nga shtypja dhe mbrojtja nga spastrimi etnik, akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte.

Ajo shtoi se si të gjithë bashkëkombësit tanë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo nëpër botë, “ne kërkojmë drejtësi”.

“Kjo do të thotë”, vijoi Xhaçka, “jo që dikush të jetë mbi ligjin, por që të shihen faktet dhe të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi”.

Ministrja shqiptare bëri thirrje që të mos harrohet se krime lufte, vrasje civilësh në masë, varre masive ende të pazbuluara, përdhunime, tortura, zhvendosje të detyruara, janë kryer prej regjimit të Milosheviçit.

“Për këto krime duhet drejtësi e vërtetë, duke përfshirë zbulimin e vendndodhjeve të të gjitha vendeve të varrimit. Kjo është pjesë e angazhimeve të dialogut Kosovë-Serbi të cilat duhen zbatuar tërësisht, në mënyrë që të lemë pas të kaluarën tragjike dhe të shohim nga e ardhmja e përbashkët evropiane”. vuri theksin ajo.

Për këtë ajo garantoi se Shqipëria po bën përpjekje këmbëngulëse që drejtësia të vihet në vend.

“Kuvendi ynë miratoi para rreth një viti një rezolutë ku konsideroheshin të pabaza këto pretendime dhe kërkohej që Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës të rishikojë rezolutën e miratuar prej saj. Deputetët, pjesë e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës kanë mbledhur firmat e deputetëve të Asamblesë për një Rezolutë të Re mbi Rezolutën e vitit 2011”, zbuloi më tej Xhaçka.

Në përmbyllje, kryediplomatja vërejti se përpjekjet e autoriteteve shqiptare nuk do të rreshtin deri sa kjo rezolutë e re të miratohet dhe lufta heroike për çlirimin e Kosovës të pastrohet nga “kjo njollë e turpshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore