Sport

Xavi: Zhvilluam ndeshjen më të dobët të sezonit, jam i zhgënjyer


Barcelona nuk e shfrytëzoi mundësinë për ta çuar në plus 10 pikë diferëncën me vendin e dytë që mbahet nga Real Madrid-i.

Katalanasit u befasuan nga Almeria, duke u mposhtur me rezultat 1:0, që ishte humbja e dytë radhazi për ta, pas asaj në Ligën e Evropës nga Manchester United-i.

Pas kësaj humbje, foli në konferencën për media trajneri i tyre, Xavi Hernandez, i cili tha se ishte ndeshja më e dobët e tyre në këtë sezon.

“Ishte ndeshja më e dobët e sezonit. Ndoshta u ndje edhe lodhja, por e pranoj që zhvilluam një ndeshje të tejet të dobët. Jam i zemëruar, pasi që kishim mundësinë për të dërguar diferencën në dhjetë pikë”, tha Xavi.

“Jemi të zhgënjyer. Tani duhet të kërkojmë zgjidhjen e problemeve, pasi po afron faza më vendimtare e sezonit. Nuk na lejohet të bëjmë të tjera gabime. Ishte një ditë e keqe për të gjithë ne”, u shpreh mes tjerash Xavi.

Pra, pas javës së 23-të, Barcelona e kryeson kampionatin me 59 pikë, shtatë më shumë se Real Madrid që ka në vendin e dytë.

Pikërisht dy gjigandët spanjollë do të përballen mes vete këtë të enjte në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit, ndeshje kjo që do të zhvillohet në “Santiago Bernabeu” të Madridit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore