Përballje

Xavi: Pedri është talenti më i madh në botë


Xavi Hernandez është shprehur shumë i lumtur pas fitores 1-4 të Barcelonës në fushën e Valencia-s.

Katalunasit kanë përforcuar pozitën e tyre në vendin e katërt, në luftën kryesore që po zhvillojnë këtë sezon për kualifikimin në Champions.

Pas një starti shumë të dobët të sezonit, kur katalunasit silleshin rreth vendit të tetë dhe të nëntë, ardhja e Xavi-s ka kthyer identitetin e klubit, që tani po luan shumë mirë dhe po fiton takime.

Një nga faktorët kryesor të skuadrës blaugrane, është kthyer talenti spanjoll Pedri.

Këtë të fundit, trajneri katalunas Xavi, e quan “talentin më të madh në botë”.

“Jam shumë i lumtur”, tha Xavi.

“Nuk ishim aq të mirë sa kundër Napoli-t, por ishim efektiv në sulm”.

“Ne treguam se e dimë edhe si të vuajmë”, shtoi ai, “në pjesën e dytë Valencia kishte shumë mundësi, por mbrojtja jonë u tregua solide dhe sulmi ynë shumë efikas”.

Sa i përket Pedri-t, ai kishte vetëm komente të mira për spanjollin 19-vjeçar.

“Ai ndalet, nuk e humb topin, dominon me të dyja këmbët, thjesht nuk po gjej superlativa që ta përshkruaj”, tha ish-mesfushori legjendar i Barcelonës.

“Mënyra se si ai kontrollon tempon, lëviz topin, është thjesht spektakolare për një lojtar të moshës së tij – momentalisht nuk ka asnjë talent më të mirë se ai”.

Xavi gjeti kohën të fliste edhe për Aubameyang, që shënoi tri gola përballë Valencia-s.

“Ai ka shënuar gola gjatë gjithë karrierës”, tha Xavi, “ai e kontrollon mirë hapësirën dhe është i vetëdijshëm se ku dëshiron të pranojë topin, jam shumë i kënaqur me të”.

Barcelona udhëton të enjten në Itali, ku do të përballet me Napoli-n në tentativë që të lë prapa barazimin në Spanjë – dhe të kualifikohet në raundin tjetër të Europa League.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore