Shqipëria

Wizz Air dominon aeroportin e Tiranës, zgjidhet nga 59% e pasagjerëve në vitin 2023


Wizz Air ka shërbyer për 59 për qind të të gjithë pasagjerëve në aeroportin e Tiranës vitin e kaluar.

Kështu ka bërë me dije operatori i aeroportit, TIA.

Nga 7.25 milionë pasagjerë në aeroportin e kryeqytetit të Shqipërisë në vitin 2023, 4.29 milionë kanë blerë bileta për fluturimet e Wizz Air, sipas TIA.

Ndërkohë, pesë linjat ajrore më të mira kontribuuese në aeroportin e Tiranës përfshinin gjithashtu Air Albania dhe Albawings, Lufthansa dhe Ryanair.

Sipas TIA, rezultojnë rreth 24 transportues që operojnë në aeroport.

Aeroporti sakaq ka regjistruar një rritje prej 37 për qind në kapacitetin e ulëseve në 4.2 milionë vende të disponueshme për pasagjerët në nisje dhe mbërritje në vitin 2023.

Ryanair dhe kompania me kosto të ulët kuvajtiane Jazeera Airways ishin ndër kompanitë ndërkombëtare që prezantuan operimet në Shqipëri vitin e kaluar.

Kurse Wizz Air filloi operimet në aeroportin e Tiranës në vitin 2017.

Në vitin 2022, linja ajrore njoftoi fillimin e operacioneve të saj në qytetin verilindor të Shqipërisë të Kukësit, për të njoftuar pezullimin e tyre një vit më vonë.

Ndërsa në vitin 2023, Wizz Air prezantoi 10 linja të reja nga aeroporti i Tiranës.

Në vitin 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur 40 për qind më shumë pasagjerë, duke arritur një shifër prej 7,257,574 pasagjerësh.

Angazhimi në zhvillimin e infrastrukturës është i dukshëm përmes rritjes së madhe të kapacitetit të vendeve, që u rrit me 67 për qind në dhjetor 2023, krahasuar me muajin dhjetor 2022, duke arritur 429,708 vende.

Edhe Lëvizja e Trafikut Ajror (ATM) ka patur 32 për qind rritje nga viti 2022, me 25,354 cikle fluturimesh.

Sakaq, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u rrit me 37 për qind në terma të kapacitetit, duke çuar në një numër total prej 4,240,461 vendesh nga 3,089,941 që ishte në vitin 2022.

Në vitin 2023, Aeroporti mirëpriti linja të reja të skeduluara, si Jazeera dhe Ryanair duke prezantuar destinacione si Napoli, Brindisi, Trieste, Lamezia Terme, Palermo, Selaniku, Comiso, Edinburgu, Bukureshti, Kuvait, Dammam, Stokholm Arlanda, Duseldorf Weeze, Pragë, Varshava Modlin dhe Romë Çiampino.

Ka mirëpritur po ashtu charter të rinj duke e diversifikuar portofolin e destinacioneve.

Ndërkohë, pesë destinacionet më të mira, të udhëhequra nga Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe, përbënin kolektivisht një pjesë të konsiderueshme të trafikut të pasagjerëve.

Italia (44%): Me mbi 3.1 milionë pasagjerë, Italia doli si tregu dominues për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke treguar lidhjet e forta mes dy rajoneve.

Gjermania (13%): Duke u shërbyer afro një milion pasagjerëve, Gjermania mbajti një prani të konsiderueshme, duke reflektuar kërkesën e madhe për udhëtime midis Tiranës dhe qyteteve kryesore gjermane.

MB (8%): Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës lehtësoi udhëtimin pa probleme për mbi gjysmë milioni pasagjerë drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar, duke nënvizuar rëndësinë e këtij tregu.

Turqia (6%), Greqia (4%) dhe më tej: Tregje të tjera kyçe, duke përfshirë Turqinë dhe Greqinë, kontribuuan ndjeshëm në suksesin e aeroportit, duke theksuar rolin e tij në nxitjen e lidhjeve përtej Evropës Perëndimore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore