Lajme

‘Wie is de Mol’ nis nga Shkodra, Rama: Lajm i mirë për turizmin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një publikimi në median sociale Facebook, ka ndarë një pasazh nga emisioni holandez “Wie is de Mol” (Kush është i infiltruari), i cili është xhiruar në qytetin e Shkodrës.

“Nga Shkodra nisi Viti i Ri i ekranit holandez me programin e famshëm ‘Wie is de Mol’ – filmuar në Shqipërinë 2021”, shkruan Rama.

Sipas tij, emisioni më i ndjekur televiziv në Holandë ka befasuar publikun me bukuritë shqiptare, çka pritet të rrisë ndjeshëm këtë verë numrin e turistëve holandezë në Shqipëri.

Shkodra u përzgjodh si destinancion për xhirimet e 12 serive të sezonit 22 për vitin 2022.

Në emisionin me audiencë prej mbi 4 milionë shikuesish, 11 konkurrentë, personazhe VIP holandezë erdhën në Shqipëri dhe xhiruan lojërat me sfida dhe aventura.

Të famshmit holandezë janë artistë të njohur, prezantues televizivë, aktorë, krijues, gazetarë, shkrimtarë dhe këngëtarë.

Në serinë finale do të përcaktohet fituesi i sezonit 22-të, por gjithashtu, do të demaskohet edhe i infiltruari, ai që gjatë gjithë serive shkakton dëme, ai që eliminon shokët me intrigat e tij dhe saboton partnerët.

Ky emision shfaqet çdo vit në Holandë, që prej vitit 2000.

Përpara Shqipërisë, destinacionet e këtij programi kanë qenë Australia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Kanadaja, Kolumbia, Portugalia dhe shumë të tjera.

Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e ka cilësuar lajmin si “diçka me ndikimin pozitiv”.

“Viti 2022 do të shënohet nën emrin e turizmit”, shkruan ajo në median sociale, Twitter.

Lajmi që Shqipëria ishte destinacioni i radhës i reality show-t të famshëm holandez u bë publik që në nëntor të vitit të kaluar.

Rama shkruante se “kur trupa e xhirimit erdhi në Shqipëri për hulumtime, mundësia që vendi ynë të zgjidhej ishte fare e vogël, por në fund të qëndrimit të tyre pak ditor këtu, ata ishin 100 % të bindur për Shqipërinë si vendi ideal për spektaklin e tyre”.

Që nga data 1 janar 2022, publiku holandez do të ndjekë se si konkurrentët VIP-a holandezë do të skualifikohen një nga një gjatë aventurave në qytetet e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore