Sport

Whittaker ‘gdhënd’ inicialet mbi trupin e Gastelum-it


Ish kampioni i kategorisë së peshave të mesme, Robert Whittaker (24 – 5 – 0), dëshmoi sërish peshën e mjeshtërisë së tij kundër Kelvin Gastelum (17 – 7 – 0), në ndeshjen e ditës së shtunë (16 prill) të Kampionatit Kulmot të Luftimit (UFC), zhvilluar në stadiumin “Apex”, në Las Vegas të SHBA-ve.
Gjyqtarët shpallën Whittaker në fund përfundim të dyluftimit, fitues me vendim unanim.

Raundi 1

Ishte australiani Whittaker ai që dirigjoi orkestrën brutale të raunit të parë – një shkelm në kokën e Gastelum, ishte gjithëçka kishte nevojë Whittaker për ta marrë kontrollin thuajse të plot. Pak çaste pas shkelmimit, Whittaker u vërsul drejt Gastelum-it me një shi grushtesh, nëpërmjet të cilëve e gozhdoi pranë kufijve të kafazit tetëkëndor.

Ëhittaker nuk humbi asnjë moment më shumë dhe përfitoi nga tronditja e kundërshtarit të tij, duke e rrëzuar mbi kanavacën e tëtkëndorit dhe duke e zhvendosur duelin në tokë.

Dominanca rrënjësore e 30-vjeçarit Whittaker, dëshmoi triumfin absolut të raundit 1.

Raundi 2

Pjesa e dytë, gjeti Gastelum-in e adaptuar me rrethanat por, edhe atëherë, ishte Whittaker ai që shenjestroi goditjet më bindëse.

Kampioni i dikurshëm e kontrolloi hapësirën midis me një seri grushtash të shkurtër (jab), që u ndoqën nga një tjetër seri grushtesh të gjatë (cross). Kombinimit klasik, Whittaker-i i shtoi edhe grushte harkore (hook).

Për herë të parë gjatë ndeshës, Gastelum derdhi gjak nga vetulla e djathtë e tij dhe dha sinjale lodhjeje.

Raundi 3

Orkestra ndaloi për Whittaker-in në raundin 3 ndërkohë që vendin e dirigjentit e mori Gastelum.

Megjithatë, Whittaker arriti të kundërpërgjigjet mjaft mirë ndaj breshërisë së fuqishme të Gastelum.

Ndërsa raundit po i vinte fundit, Whittaker lëshoi një kombinim që e la Gastelum-in duke u lëkundur.

Raundi 4 dhe 5

Që prej këtij momenti e deri në fund, ndeshja mori emrin “Whittaker”: australiani ishte tepër i shpejt, i saktë dhe i zgjuar për t’u përballuar nga amerikani Gastelum.

Gastelum u ndesh mirë dhe arriti ta verë në vështirësi Whittaker-in disa herë, por tregoi se kërkonte vazhdimisht goditjen përfundimtare të nokautit dhe, pikërisht ky stil loje, i dha përparësi finesës, shkathtësisë dhe mprehtësisë së Whittaker-it më tepër se sa Gastelum-it.

Tashmë që Whittaker siguroi edhe një fitore tjetër krahas asaj kundër Darren Till dhe Jared Cannonier, ai thërret sërish luftëtarin i cili e mposhti dhe i mori titullin e kampionit, Israel Adesanya.

“Kam vetëm respekt (i referohet Adesanya-s) por, mendoj se ka ardhur koha të flasim përsëri; udhët tona do të kryqëzohen për herë të dytë dhe besoj se do arrijmë të shesim çdo biletë në stadiumin e Australisë” – u shpreh Whittaker dhe përfundoi me – “Le ta bëjmë të mundur”.
Në shtatë vitet e fundit të vetmen humbje në karrierën e tij profesionale në UFC, Whittaker e ka me Adesanya-n (20 – 1 – 0).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore