Lajme

VV tenton ta mohojë se Qeveria pranoi notë diplomatike për shkak të veprimeve të ministrit Mehaj


Nota Diplomatike dhe Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në mbledhjen e Komisionit për Siguri të Kuvendit të Kosovës gjatë një raportimi ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë notë proteste ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke mohuar kështu se ka ardhur ndonjë dokument nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, kjo që thotë Mehaj është vetëm pjesërisht e vërtetë, meqë FSK-së nuk i ka shkuar nota diplomatike, porse, ashtu siç ka raportuar edhe Albanian Post, ajo ishte dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.

Tutje, ai ka mohuar edhe raportimet se ishte ai që personalisht kishte dhënë një urdhër verbal që të ngjyrosen autoblindat e FSK-së me ngjyrë të kaltër dhe të përdoren nga policia në Veri.

Duke përdorur raportimet e Mehajt, Lëvizja Vetëvendosje ka postuar një status në Facebook ku shkruajnë se ministri “sqaroi që nuk ka ndonjë notë proteste ndaj FSK-së, dhe që nuk ka pasur vendim që FSK-ja t’ia jap pajisjet e saj policisë së Kosovës”.

Postimi i Lëvizjes Vetëvendosje

Nota diplomatike e SHBA-ve për Qeverinë e Kosovës

Albanian Post kishte siguruar – në dokument – notën diplomatike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përmes Ambasadës Amerikane në Kosovë, i kanë dërguar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që Qeveria e Kosovës të zotohet, përmes marrëveshjes, se pajisjet që i janë dhënë FSK-së nga Qeveria e SHBA-ve dhe që në kontratë e kanë të përcaktuar Forcën e Sigurisë së Kosovës si përdorues të fundit, nuk do t’i jepen asnjë organizate tjetër të sigurisë.

Kjo vërejtje vinte pasi mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e kishte urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës, që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e kishte refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkonte qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.

Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor kishte marr përgjigje negative.

Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.

Edhe këtë kërkesë, në formë urdhri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë Gjenerallejtënant Rama.

Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë të fillojnë procedura e shkarkimit të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore