Kosova

Vulin kërkon mos anëtarësim të Serbisë në BE nëse kërkohet njohja e Kosovës


Aleksandar Vulin

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë që Serbia është në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por kjo “duhet të ndryshojë” nëse i kërkohet njohja e Kosovës.

“Nëse përballemi gjatë rrugës me njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, obligimin për të pranuar martesat e gjinisë së njëjtë apo përfshirjen në konfliktin me Rusinë dhe Kinën, ne nuk duhet të shkojmë në atë rrugë”, ka thënë ai për mediumin serb “Vecernje Novosti”.

Ai ka folur edhe për takimin e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për të cilin ka theksuar se është njëri nga udhëheqësit “më të mëdhenj botë”.

“Presidenti Putin është një nga udhëheqësit më të mëdhenj në botë. Njohës i jashtëzakonshëm për temën që flet si dhe bashkëbiseduesin. Njohuritë e tij për Serbinë dhe rajonin janë mbresëlënëse. Presidenti Putin është një mik i sinqertë i Serbisë që na kupton dhe mund të them se na do”, shtoi.

Ndërkaq i pyetur nëse blerja e aeroplanëve “Rafale” nga Franca tregon kthesë kah Perëndimi për Serbinë, Vulini ka deklaruar se ky nuk ka qenë vendim politik, por “pragmatik”.

“Është një vendim ushtarak pragmatik dhe jo politik. Macron bëri një deklaratë për elektoratin e tij me dëshirën për ta vështirësuar sulmin e kritikëve vendas dhe kjo është e drejta e tij. Serbia është në rrugën e integrimit në BE dhe shpejtësia nuk vendoset nga Serbia”, potencoi Vulin.

Ndryshe, ish-drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.

Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“Këto marrëveshje korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon”, u tha në njoftim gjatë vitit të kaluar.

Sipas njoftimit të Thesarit, Vulin është përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore