Shqipëria

Vula e PD-së i kalon Sali Berishës, vendos Gjykata


Gjykata e Apelit ka vendosur këtë të martë të 11 qershorit që vula e Partisë Demokratike t’i kalojë ish-kryeministrit Sali Berisha.

Pas më shumë se 2 orë seancë gjyqësore ku u dëgjuan përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës dhe të grupit demokrat të Rithemelimit të Sali Berishës, trupi gjykues së Apelit u tërhoq për vendim.

Çështja u shqyrtua nga relatorja Alma Ahmeti, ndërsa anëtarë do të jenë Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Në mbyllje të seancës gjyqësore, deputeti i Rithemelimit, Flamur Noka komentoi vendimin duke thënë se “nuk është ditë për të festuar as për triumf, por është ditë për t’i ftuar që të jenë të gjithë bashkë kundër narkoregjimit”.

“Demokratët sot janë të bashkuar. Sot vendimi i gëzon ata. Është ditë e keqe për regjimin. Një opozitë e përçarë ka marrë fund”.

Nga PD zyrtare në gjykatë ndodheshin Indrit Sefa, Rezart Kthupi dhe Endri Hasa, ndërsa nga Rithemelimi krahas përfaqësuesve ligjorë janë dhe deputetët kryesorë mbështetës si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj.

Ivi Kaso si përfaqësues i Rithemelimit i kërkoi gjykatës së Apelit të mos pranohet kërkesa e bërë në mars 2022 e Enkelejd Alibeajt si palë në proces

“Vlerësojmë që Gjykata e Lartë ka orientuar Apelin në argumentet e veta, me arsyen kryesore që Apeli s’ka kuptuar thelbin e çështjes, pra që kjo çështje bëhet pa praninë e palëve të tjera. Është shumë specifike sa i takon verifikimit të këtyre vendimmarrjeve, për aktet e një subjekti politik. Ligji thotë që duhet të jenë të kujdesshme, ka vetëm një palë dhe ankimi bëhet po ashtu nga pala që ka vënë në lëvizje gjykatën”, tha Kaso.

Beteja e dy viteve

Situata e krijuar tashmë prej më shumë se dy vitesh pati përditësimin e fundit në mars, kur Gjykata e Lartë zbardhi vendimin e plotë për çështjen e vulës së Partisë Demokratike, sa i takon rikthimit për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit.

Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimmarrjes së Apelit, që e riktheu çështjen në Shkallën e Parë dhe rrëzoi vendimin e Agron Zhukrit që i dha vulën ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Ky vendim asokohe u pa u si në favor të askujt.

“Gjykata ka vendosur që çështja në vend të kthehet në shkallë të parë, sikurse kishte vendosur Gjykata e Apelit, dhe të jetë kjo e fundit ajo që do të zgjidhe çështjen në themel. Në praktikë ka kursyer kohë për palët ndërgjyqëse”, tha për Albanian Post, avokati Rezart Kthupi.

Ndryshe, një jurist i një studioje të madhe ligjore në Tiranë – për të cilin do të ruajmë kushtet e anonimitetit – sqaroi se në lexim të vendimit “Gjykata e Lartë e ka prishur vendimin e Apelit dhe i ka kërkuar që të vendosë për vendimin e Agron Zhukrit dhe jo ta kthejë për rigjykim”.

Zhukri pati njohur vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit të Rithemelimit.

Pra, sqaron juristi tani mbeten dy alternativa.

“Apeli do të vendosë të rrëzojë vendimin e Zhukrit përfundimisht duke i dhënë të drejtë palës kundërshtuese, në këtë rast palës së kryedemokratit, Lulzim Basha, ose ta lejë në fuqi, duke i dhënë të drejtë palës së Berishës”, theksoi ai për Albanian Post.

Ndërsa, sipas Kthupit në këto momente vulën e ka PD-ja zyrtare, sa kohë “jemi të regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe kryetar është Lulzim Basha sipas regjistrit të partive politike”.

Nga ana tjetër, ish-kandidati për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli në një koment për AP, ravijëzon se “vendimi lë ende në dyert e gjykatës palët”.

“Por, asnjë zgjidhje ligjore nuk zgjidh krizën politike. PD nuk ekziston më. Është ndarë në dy struktura, njëra me Berishën njëra me Bashën. Kemi deputetët që janë në një konflikt ligjor në Kuvend për të drejtat e grupit. Por, kemi dhe masën më të madhe të demokratëve që nuk janë anësuar dhe refuzojnë të gjitha këto forma që kanë shpërbërë PD”.

E gjithë beteja nisi më 11 dhjetor të vitit 2021, ku Sali Berisha – pas përjashtimit nga grupi parlamentar të Partisë (kohë ku u shpall non grata) – mbajti një Kuvend Kombëtar.

Në atë Kuvend u miratuan disa vendime, siç ishte shkarkimi i Lulzim Bashës si kryetar dhe ndryshimet statutore.

Muaj më pas ishte gjyqtari Agron Zhukri – i shkarkuar nga Vettingu – i cili regjistroi statutin e Kuvendit të Partisë Demokratike të 11 Dhjetorit të mbajtur nga Komisioni i Rithemelimit.

Vendimi u apelua nga PD-ja e Bashës dhe në 2023-shin Apeli vendosi ta kthente në shkallë të parë, por sërish ky vendim u apelua dhe Sali Berisha që çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.

Kjo e fundit theksoi se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore