Kosova

Vukoviç: Forcimi i shtetësisë së Kosovës tërboi nacionalistët në Serbi, prandaj u shpërdorua potenciali i normalizimit


Sinisha Vukoviç

Sinisha Vukoviç, ligjërues në Univesitetin “Johns Hopkins” në Uashington të Shteteve të Bashkuara (SHBA), në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, konsideroi se diplomacia perëndimore arriti që gjatë kohës së fundit të forcojë ndjeshëm shtetësinë e Kosovës, por shpërdoroi potencialin për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mos harroni, megjithë zhurmën dhe tërbimin e Serbisë, diplomacia perëndimore në periudhën paraprake arriti një nivel të paprecedentë të shtetësisë për Kosovën dhe kjo doli të ishte një çështje prioritare në të cilën u investua shkalla më e madhe e angazhimit”, theksoi Vukoviç.

“Në ndërkohë, procesi i normalizimit përjetoi një përplasje sepse çmimi i forcimit të shtetësisë së Kosovës forcoi etno-nacionalizmin në Serbi, i cili kontaminoi pjesën tjetër të rajonit dhe shpërdoroi potencialin e vërtetë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Vukoviç shtoi se synimet e diplomatëve perëndimorë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ishin domethënëse, por strategjia dhe renditja ishin të gabuara. “Dhe kjo është diçka që fuqitë e mëdha e kanë të vështirë të pranojnë, prandaj preferojnë të shkatërrojnë procesin e normalizimit derisa Kosova të arrijë rezultate në forcimin e shtetësisë”.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin evropian, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore