Kosova

Vuçiç pretendon se dronët “Bayraktar” vëzhguan bazat ushtarake serbe: Po të ishte kohë tjetër, s’do të qëndronin gjatë në ajër


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se dronët “Bayraktar” TB-2 të cilët Qeveria e Kosovës i ka blerë nga Turqia, më 5 dhe 6 qershor janë ngritur në lartësi prej 5800 metra me synimin për të vëzhguar pozicionin e ushtrisë serbe.

“I kemi shikuar si pëllëmbën e dorës dhe po të ishte ndonjë kohë tjetër nuk do të qëndronin gjatë në ajër, pasi është hapësira ajrore nën kontrollin e KFOR-it, ne e respektojmë hapësirën e KFOR-it, ata po bëjnë punën e tyre, ne po bëjmë tonën”, tha Vuçiç, raportojnë mediat serbe.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se cili është qëllimi i aktiviteteve zbuluese, ai nuk ka pranuar të jap detaje tjera para gazetarëve pas stërvitjes ushtarake “Greva me zjarr 2024” që u mbajt në Serbi.

“Unë nuk do të doja të flisja për të gjitha qëllimet e tyre, sigurisht duke parë aftësinë operacionale në një kuptim më të gjerë”, potencoi ai.

Ndryshe, vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria i kishte blerë nga Turqia.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia. Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, pati shkruar Kurti në Facebook.

Çfarë janë dronët Bayraktar?

Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47. Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore