Kosova

Vuçiç për non-paper: Nuk e kam parë e as lexuar


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është deklaruar se nuk i ka lexuar “non-paper”, të cilat flasin mbi autonominë e veriut të Kosovës.

Kështu është deklaruar Vuçiç në TV Pink, pas vizitës së tij në manastirin Poganovo, afër Dimitrovgrad.

“Unë nuk kam parë dhe nuk më pëlqen të vendos paraprakisht për diçka që nuk kam lexuar”, ka thënë ai.

Kur pyetet për komentimin e tij mbi kërkesat e Qeverisë së Kosovës për heqjen e katër manastireve nga kategoria e monumenteve të rrezikuara në listën e UNESCO-s, Vuçiç ka thënë “le ta bëjnë punën e tyre, ne do ta bëjmë tonën”.

Po ashtu, presidenti serb ka thënë se kjo gjë nuk e tremb.

“Asgjë nuk më frikëson, por kjo më shqetëson, ne do të luftojmë dhe do të shpëtojmë Deçanin, Graçanicën, Patriarkanën e Pejës”, ka potencuar Vuçiç, raporton gazeta serbe Danas.

Takimi i parë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të mbahet muajin e ardhshëm (qershor) në kryeqytetin e Francës, në Paris.

Albanian Post posedon dokumentin e emëruar si “non-paper” në të cilin precizohet jo vetëm koha e takimit, por edhe temat e bisedës dhe synimet e këtij raundi të ri bisedimesh, i cili është projektuar si raundi final dhe pritet të përfundojë para muajit shkurt të vitit 2022.

Kjo letër jo zyrtare, apo “non-paper” prezanton një iniciativë Gjermano-Franceze që për synim ka normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë nën lehtësimin e Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, Miroslav Lajçak.

Një ndër pikat e parapara në dokumentin gjermano-francez është edhe statusi i kishave serbe.

“Kisha Ortodokse Serbe do të njihet, prona e saj do të jetë e paprekshme dhe do të gëzojë status të privilegjuar në më shumë se 40 vende kryesore”.

Precizohet edhe se “Kisha dhe organizimi i saj i brendshëm duhet të njihej si palë vetëqeverisëse e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, se pronësia duhet të jetë e paprekshme, dhe duhet gëzoi status të privilegjuar”.

“Zonat e mbrojtura duhet të përfshinë më shumë se 40 kisha dhe objekte kulturore. Kisha Ortodokse në Kosovë, si pjesë esenciale e Kishës Ortodokse Serbe, në përputhje me ndryshimet kushtetuese, duhet të udhëhiqet nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, i cili duhet të ketë selinë në Patriarkanën e Pejës”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore