Lajme

Vuçiç nis propagandën në OKB: Ndalimi i dinarit është krim kundër njerëzimit


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shpertheu në propagandë në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke thënë se vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës për ndalimin e dinarit serb nuk është vetëm “vazhdimësi e sulmeve sistematike” ndaj serbëve, por edhe “krim kundër njerëzimit”.

Në nisje të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Serbia pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe mbylljes së disa komunave paralele serbe në territorin e Kosovës, ai pretendoi se veprimet e fundit të Kosovës krijuan “kushte të padurueshme” për komunitetin serb që përbën shumicën e popullësisë në pjesën veriore.

Ai pretendoi se mbi 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova për shkak të “dhunës sistematike dhe të përhapur” ndaj komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, veçanërisht pas ardhjes së kryeministrin kosovar, Albin Kurti, në krye të Qeverisë së Kosovës në vitin 2021.

“Institucionet e Prishtinës kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët dhe bëjnë sulme dhe persekutime sistematike ndaj serbëve. Kjo mund të shkaktojë dëme të pariparueshme deri në takimin e ardhshëm për raportimin e radhës së UNMIK-ut”, pretendoi presidenti serb, duke përmendur vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit.

Ai përmendi edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit, përfshirë instalimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – në fund të muajit maj të vitit të kaluar.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbë do t’u jepte një mundësi serbëve për t’u mbrojtur nga persekutimi dhe dhuna. Në kushtet e një persekutimi të vazhdueshëm të serbëve, u bë e qartë pse Kosova refuzon obligimet e veta. Në vend që të krijojë kushtet për mbijetesën e serbëve, shohim masa sistematike që krijojnë kushte të padurueshmë për mbijetesën e serbëve”.

Kjo seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë është thirrur pas kërkesës së Serbisë, veçanërisht pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin dhe qarkullimin e dinarin serb dhe mbylljes së disa komunave paralele serbe nëpërmjet disa aksioneve policore në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore