Kosova

Vuçiç në takim me ambasadorin rus “shprehet i shqetësuar për pasojat e mundshme” të hapjes së urës së Ibrit


Aleksandar Bocan-Harchenko dhe Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten, ka takuar ambasadorin e Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, ku temë diskutimi, siç ka njoftuar vetë Vuçiç, ka qenë edhe situata në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Faceboook, Vuçiç ka thënë se gjatë takimit i ka shprehur ambasadorit rus “shqetësimet” e tij “të thella” për pasojat e mundshme të hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Ndryshe të mërkurën në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, Vuçiç shprehu, siç tha ai “shqetësim të madh” për “tendencën e Qeverisë së Kosovës për të komplikuar situatën e sigurisë në Kosovë”.

“Gjithashtu theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve, të cilin Prishtina e provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme, ka një ndikim të madh te populli serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën e tyre”, pretendoi ai.

Në takim Vuçiç, siç thuhej në komunikatë, ka theksuar edhe nevojë për “intensifikimin e përpjekjeve diplomatike për t’u koordinuar me forcat e KFOR-it në përputhje me rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

“KFOR-i si pjesë të mandatit të tyre e ka edhe garantimin e sigurisë së serbëve në Kosovë”, ka thënë Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore