Lajme

Vuçiç në Shkup: Mirë që po bisedojmë për ekonominë dhe njerëzit, për këtë gjejmë gjuhë të përbashkët


Aleksander Vucic ne Shkup

Kur biseda dhe iniciativat janë për ekonominë, zhvillimin dhe njerëzit, gjithmonë gjejmë gjuhë të përbashkët, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fjalimin e tij në tryezën e përbashkët me liderët rajonalë, të mbledhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, si pjesë e organizmit të Planit të Rritjes nga Bashkimi Evropian që parasheh investime prej gjashtë miliardë eurosh në rajon.

“Nuk besoj se do të kemi probleme politike”, tha Vuçiç, duke shtuar se “gjithçka tjetër është mirë dhe besoj se lidhja me rajonin, siç kemi bërë me Ballkanin e Hapur, është diçka që mund ta bëjmë”.

“Ky do të ishte lajm i mirë për njerëzit dhe është mirë që po diskutojmë për ekonominë dhe njerëzit dhe për këtë besoj se gjithmonë gjejmë gjuhë të përbashkët”, tha presidenti serb.

Ai në fillim të fjalimit të tij, foli për një “rrezik politik” për të cilin tha se “asnjeri nga pjesëmarrësit këtu nuk e ka, përveç nesh”, por nuk e elaboroi tutje çfarë po mendonte.

Në një fjalim tepër të shkurtër, ai shtoi se përkundër se nuk sheh anëtarësim të rajonit në BE në të ardhmen e afërt, e përkrahë dhe e sheh si shumë të vlefshme iniciativën për ndihmë ekonomike.

“Kam një lutje për të gjithë juve që të jeni ndihmues, sepse kemi për të zgjidhur disa probleme të vështira që kërkojnë zgjidhje dhe ju e dini që ne duhet ta rreshtojmë vetën (me politika) para se të futemi në BE”.

I shkurtër në fjalim ishte edhe Milojko Spajiç, kryeministër i Malit të Zi.

Ai foli më shumë për biznesin dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik, çka i duhet gjithë rajonit.

Milojko Spajiç

“Me bizneset që kam folur në Davos e kam parë që ata e shohim mesazhin politik të BE-së për Ballkanin, por ata duan të shohin edhe veprime, duan të shohin para që vijnë në rajon nga BE, zhvillim real në Ballkan dhe angazhim real të BE-së në rajon”.

Dhe “ky Plan i Rritjes është fiks kjo”, pohoi ai, duke shtuar se përbën “një sinjal të madh për bizneset e BE-së për t’u angazhuar dhe investuar në rajon”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet në çdo nivel që të shohim vetën, por edhe gjithë rajonin më afër BE-së”, përfundoi fjalimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore