Kosova

Vuçiç flet pas takimit në Ohër: Kurti prezantoi tri shtylla për themelimin e Asociacionit


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në adresimin e tij të parë të drejtuar popullit serb rreth takimit në Ohër tregoi pse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do të ketë gjëra më të vështira për ne në të ardhmen. Për ne është e rëndësishme që të mos varemi më nga vullneti i mirë i Prishtinës, që është një ndryshim pozitiv, por edhe se sa jemi të gatshëm të bëjmë disa gjëra kur flasim për rrugën evropiane”.

“Pse nuk firmosa? Së pari, sepse Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ajo që ata e quajnë Republika e Kosovës nuk është. Si President i Republikës, edhe deklaratat e mia janë të detyrueshme për vendin”, tha Vuçiç.

Ai tha se do të jetë e vështirë për të përcaktuar nëse marrëveshja ekziston pa nënshkrim, por për çdo rast, ai tha se flet pa mëdyshje për “vijat e kuqe” të Serbisë dhe shtoi se  askush të mos mendojë se mund t’i imponohen Serbisë.

“Pikërisht për këtë nuk kemi nënshkruar marrëveshjen apo aneksin. Por Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin deri në vijat e kuqe”, ka thënë presidenti serb në konferencën për media të dielen.

Ai ka folur edhe për personat e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë në vitet 1998/1999.

“Do të mendonit se është diku normale dhe e zakonshme, të gjithë duan të zgjidhin problemin e të zhdukurve. Normat dhe arritjet qytetëruese. Fatkeqësisht, Prishtina e përdori atë si një formë presioni ndaj Serbisë për shkak të reparacioneve të luftës”, tha ai.

Presidenti serb komentoi edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke thënë se duhet të bëhet sipas marrëveshjeve që ekzistojnë, ato të vitit 2013 dhe 2015, ndërsa tregoi se cilat ishin kushtet e kryeministrit Albin Kurti.

“Kurti u paraqit dhe tha se ne e kemi planin e [Marti] Ahtisarit, nuk na intereson, nuk e kemi miratuar, nuk është pjesë e procesit të dialogut. Kurti prezantoi tre shtyllat e tij dhe nuk u pranua. Thashë se nuk është problem, thjesht mund të largohem dhe pastaj nuk ka kuptim asgjë”.

“Pastaj përfaqësuesit shqiptarë thonë jo, ne duam ta formojmë në tri shtylla: Kushtetuta e Kosovës, deklarata e Federica Mogherinit për Isa Mustafën dhe letra e tretë e nënshkruar nga [Derek] Chollet dhe [Gabriel] Escobar”, shtoi Vuçiç.

Ai vazhdoi t’i jap disa argumente pse Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sipas tij, është i rëndësishëm për popullin serb.

“Të gjithë njerëzit që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë si në një geto. Ata nuk kanë as kornizë institucionale. Të gjithë presin që të shtënë në duar Mitrovicën e Veriut. Ne kemi nevojë për Asociacion kudo ku jetojnë serbët, por sigurisht shumë më tepër në jug sesa në veri”, tha ai.

“Kjo do t’u japë serbëve një kornizë institucionale dhe një kuvend, një president që do të komunikojë edhe me autoritetet qendrore. Çfarëdo që të thoni, por kjo është ajo që është e rëndësishme për ne”, shtoi ndër të tjera Vuçiç.

Në fund, presidenti serb paralajmëroi vizitë në Kosovë.

“Së shpejti do të kemi bisedime me përfaqësuesit e popullit tonë në Kosovë, shpresoj të vizitoj Kosovën deri në qershor, të bisedojmë me njerëzit tanë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë tjetër për ta”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore