Lajme

“Vuçiç është kryeshefi i mafias”


Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten e 22 korrikut e mohoi ta ketë parë, takuar, ose biseduar ndonjëherë me kriminelin Veljko Belivuk i cili u kishte thënë hetuesve se ishte i lidhur me Presidentin e Serbisë, dhe zyrtarë të lartë të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Ai, ka thënë se është i gatshëm të flas publikisht para trupave gjykues, ose edhe publikisht t’i nënshtrohet poligrafisë (makinë që matë ndryshimet fiziologjike, pulsin, nivelin e frymëmarrjes, etj, për të detektuar se a po gënjen personi).

Por, Vuçiç ka mohuar gjithçka. Ka ironizuar me lajmin duke përjashtuar çfarëdo lidhje.

“Kur kriminelët shohin se dëshmitë po vijnë, reagojnë në këtë mënyrë, në mënyrë që të fitojnë mbështetje politike. Sikurse edhe kanë marrë mbështetje politike nga disa media të cilat janë në bashkëpronësi të disa politikanëve”,  tha presidenti serb, kur u pyet për akuzat e ngritura në drejtim të tij.

“Tash vetëm pres që Belivuk të shpallet edhe kandidat për president, dhe Marso Mesar të shpallet kandidat për kryeministër”, ka thënë Vuçiç, raporton Danas.

Vuçiç ka justifikuar veten duke thënë se “këtë histori s’kanë mundur ta trillojë grupi kriminal i Veljka Belikuva-s, por kanë marrë udhëzime nga ‘këshilltari mafioz’”, duke ju referuar një personi emrin e të cilët se ka përmendur.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të ofrojë më shumë hollësi rreth lidhjes së këtyre kriminelëve dhe ‘këshilltarëve mafiozë’.

Reagimi i Partisë Demokratike serbe

“Vuçiç është kryeshefi i mafias, dhe sheh vetëm përmes asaj se kush është për dhe kundër krimit”.

Kështu janë shprehur nga Partia Demokratike serbe dhe kanë akuzuar presidentin serb se është “koka e mafias në Serbi, dhe kjo është bërë e qartë me lidhjet që ka regjimi me grupet kriminale”, pas ngritjes së akuzave nga Veljko Belivuk.

Ata kanë vazhduar edhe më tej duke thënë se këta njerëz e kanë bërë Serbinë si diktaturë të Amerikës Latine e jo demokraci evropiane.

“Ky regjim është kanceri më i rëndë që gërryen për së brenda shoqërinë serbe, dhe për këtë arsye luftimi i kësaj qeverie duhet të jetë prioritet për të gjithë ata që i duan të mirën këtij vendi”, ka thënë PD-ja sebre për gazetën serbe “Danas”.

Ndër të tjera nga kjo parti shtojnë se Serbia gjendet brenda një skizmi shoqëror, ku qytetarët janë të ndarë në dyshen mes atyre që s’e pranojnë këtë regjim kriminelësh dhe atyre “që janë të vetëdijshëm për krejt këtë dhe ende ia bëjnë avokatin këtij regjimi, për t’i ruajtur privilegjet që kanë dhuratë për besnikërinë e tyre”.

PD-ja serbe ka bërë thirrje për unitet të opozitës në Serbi kundër regjimit të kriminilazuar sepse, siç thonë ata, “kurrë s’ka qenë më e domosdoshme se tani”.

Komentimi i ekspertit kroat të çështjeve të komunikimit, Kreshimir Macan.

Pas publikimit të transkriptës së dëshmisë të të arrestuarit Belivuk se kishte lidhje me presidentin serb nga gazeta Krik, eksperti kroat i çështjeve të komunikimit Kreshimir Macan, tha se Vuçiç tash po përdor teknika komunikuese të krizave.

“Vuçiç me këtë reagim proaktiv po tregon se e din se cilat janë akuzat e mundshme kundër tij, dhe ka për qëllim të krijojë kornizë komunikimi që i përshtatet atij. Kjo është mbrojtja e tij politike. Duke publikuar foto të tmerrshme, duke i shpallur kafshë, duke e bërë të pamundur që dikush t’u del në mbrojtje, e veçanërisht mediat”, ka thënë eksperti kroat.

“Kjo do të thotë se: nëse luan kundër meje, ose më bëni shantazh, përfundoni kështu, s’ka lidhje sa u duket vetja të fuqishëm”.

Macan thotë se kjo është pikërisht arsyeja se pse ai doli me këso fotosh e dëshmishë të tmerrshme qysh në ditën e parë.

Sipas tij, “kjo është manovra e tij për të krijuar komunikim të krizës”.

“Nëse në rend të parë kjo ishte fushatë frikësimi, kjo edhe diskrediton krejt sulmet që mund të bëhen ndaj tij, sepse kjo të sugjeron të gjykosh se: si mund të kesh të bësh me ‘kafshë’ të tilla. Kjo për opinionin publik është mëse e mjaftueshme. Vuçiçi gjithmonë luan simbas rregullave”.

Për çka akuzohet Veljko Belivuk?

Belivuk dhe grupi i tij u arrestuan disa muaj më parë dhe u akuzuan për vrasje, trafik droge dhe krime të tjera të rënda. Ata pretendohet se kanë marrë mbështetje edhe nga grupet mbështetëse të Partizan FC të cilat shiheshin si armiqësore ndaj autoriteteve.

Portali investigativ KRIK në Serbi raportojë që Belivuk fillimisht mohoi të ishte udhëheqës i mbështetësve të Partizanit si dhe përgjegjësinë për ndonjë nga krimet për të cilat ishte akuzuar dhe nuk pranoi të përgjigjej në asnjë pyetje.

Por, më vonë Belivuk pohoi se ai kontaktoi Vuçiç përmes mbështetësit të futbollit Aleksandar Vidojevic i cili është mik me djalin e presidentit duke shtuar se ai foli me presidentin personalisht disa herë.

KRIK, gjithashtu ka pohuar se disa nga transkriptimet që ata i kanë siguruar konfirmojnë dyshimet e mëparshme se grupi i Belivuk luajti rol të rëndësishëm në shtypjen e protestave dhe kishte një marrëdhënie me njerëzit me pushtet.

Veljko Belivuk, kreu i organizatës kriminale serbe gjatë arrestimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore