Kosova

Vuçiç e quan Kurtin “Donald Duck”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka përqeshur Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e krahasuar me një figurë të filmave vizatimor.

Kur u pyet për njoftimin e Kurtit për procesin gjyqësor kundër Serbisë për gjenocid, Vuçiç ka thënë se Kurti “e përsërit atë si Donald Duck, çdo ditë”.

“Mos kërcëno më, bëje. Mos luaj me ne me këto gjëra. Ai do që të na kërcënojë me një proces gjyqësor për gjenocid, kështu që dikush jashtë do të thotë se ai do t’i parandalojë ata dhe ne do ta njohim Kosovën. Mundohuni t’i shisni ato truke dikujt tjetër, por jo mua”.

Kështu është shprehur Vuçiç, pas deklaratave të Kurti, në lidhje me padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Ai në një intervistë për “TV Pink”, ka thënë se koha është për një pozicion të vendosur dhe jo për fjalë të mëdha.

“Ditët në vazhdim nuk janë të lehta. Nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të vendosur. Është gjithmonë koha të tregojmë se sa duam dialog dhe sa e rëndësishme është të shikojmë te e ardhmja”, është shprehur presidenti serb, raporton televizioni shtetëror i Serbisë (RTS).

Kur Vuçiç u pyet nëse ia vlen të shkojë në Bruksel për dialog, ai ka thënë se nuk ka ndonjë alternativë tjetër për bisedë.

“Çdo bisedë është më e mirë se një e shtënë. Unë jam për paqe, sepse është detyrë e jona të mbajmë paqen dhe stabilitetin. Por nëse ata nuk e pranojnë paqen dhe duan ta shantazhojnë dhe kërcënojnë Serbinë, atëherë le të vazhdojnë”, shtoi ai.

Përveç presidentit serb, edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, e ka deklaruar të njëjtën gjë.

”Albin Kurti, le ta padisë Serbinë për gjenocid, në vend që të kërcënojë dhe të pengojë vazhdimisht procesin e dialogut”.

Ajo e ka quajtur Kryeministrin e Kosovës “fanatik ideologjik”, dhe sipas saj gjithçka që është parashikuar të ndodhte nëse Kurti do të përfaqësonte Kosovën në dialog, “ka rezultuar të jetë e vërtetë”.

E pyetur nëse është e mundur të arrihet një konsensus në Serbi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Bërnabiç ka thënë se “nuk ka shpresë” se diçka e tillë do të ndodhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore