Kosova

Vuçeviç, Kurtit: Deklaratat i ke fiktive, vetëm serbët kërcënohen në Kosovë


Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, i ka cilësuar si pretendime fiktive deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se “Serbia është shumë agresive ndaj Kosovës”, të artikuluar së fundmi në një intervistë për prestigjiozen amerikane, CNN.

Siç ka propaganduar Vuçeviç, ata të cilët janë të kërcënuar aktualisht nuk janë shqiptarët, por serbët që jetojnë në Kosovë.

“Të vetmit që kërcënohen në Kosovë janë serbët, për shkak të dhunës së vazhdueshme, provokimeve, veprimeve destruktive të bëra nga vetë Kurti”, ka pretenduar ai.

Kurti duke nënvizuar faktin se Serbia ka 48 baza operative përgjatë kufirit me Kosovën, potencoi se Beogradi është “në pritje të një dritareje të re të mundësive”.

Megjithatë sipas Vuçeviç, këto baza ekzistojnë për një kohë të gjatë.

“Këto janë baza ushtarake të Ushtrisë Serbe që ndodhen aty prej vitesh dhe Serbia me këtë nuk shkel asnjë marrëveshje dhe dokument ndërkombëtar, si dhe Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, ka potencuar ai.

Kurti në CNN: Serbia shumë agresive ndaj Kosovës, jemi të shqetësuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore