Shqipëria

Vritet anëtari i fisit “Bajri”, forcat speciale drejt Shkodrës


Viktima e atentatit në lagjen “Rus” të Shkodrës ishte nga radhët e fisit Bajri – më saktësisht Naim Bajri.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shkodrës, përmes një njoftimi zyrtar.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”.

Sipas deklaratës së policisë, rrethanat mbeten ende të paqarta.

Naim Bajri, 68 vjeç, ishte banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Punonjësi i tij, shtetasi A. Z., 58 vjeç, i cili mori plagë të lehta, ishte gjithashtu banues në fshatin Dobraç.

Autoritetet kanë gjetur sakaq në lagjen “Guerrile”, Shkodër, një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Pas incidentit të orëve të para të së premtes, forcat speciale janë angazhuar menjëherë.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës.

Në drejtim të Shkodrës janë nisur edhe grupe të forcave elitare “RENEA”.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

21 vite më parë, Naim Bajrit i kanë vrarë të birin gjatë një atentati.

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushin ekzekutuan Indrit Bajrin me armë automatike.

Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit.

Hajdari është dënuar me 16 vite burg për vrasjen e Bajrit.

Ai u arrestua në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore