Shqipëria

Vrasja në Maliq, tashmë po flasim për femicid


Luiza Mullalli, nëna e tre fëmijëve, ishte viktima e fundit e vrasjes në familje nga bashkëshorti, ndërkohë që zotëronte një urdhër mbrojtjeje prej një viti.

Ajo e kishte fituar kërkesën, pasi Gjergji Mullalli ushtronte dhunë ndaj 46-vjeçares prej kohësh.

Sipas aktivistëve për të drejtat e grave, nga rasti i fundit në Maliq “tre gjëra vërtet janë shumë shqetësuese”.

“Vrasja në Maliq, tashmë fatkeqësisht nuk po flasim më për dhunë por po flasim për femicid (vrasje me prapavijë gjinore – ed.)”.

Kështu deklaron për “Albanian Post” aktivistja për të drejtat e grave dhe presidentja e “Useful to Albanian Women”, Sevim Arbana, pas ngjarjes së rëndë në fundjavën e kaluar.

“Së pari, janë veprimet e Policisë, hedhja në aksion e Policisë në momentet e fundit ku ne duam ‘të djegim’, të bëjmë viktimë dhe Policinë, Policia përballet me dhunuesin, i cili kishte treguar shenja të çmendurisë dhe të krimit të tij hershëm”, tregoi Arbana për Albanian Post.

Ndërsa i kthehet incidentit të rëndë, ajo pyet se përse autoritetet reaguan në momentet e fundit dhe nuk hidhen në aksion kur Mullalli shfaqi agresivitetin dhe rrezikshmërinë e tij të lartë që në hapat e parë.

Për aktivisten, ky njeri kishte dhënë mjaftueshëm shenja për të qenë një rrezik iminent dhe për të marrë masat më të fundit për të mbrojtur gjithë familjen, sidomos viktimën – gruan e dhunuar dhe të kërcënuar.

Ajo ngre alarmin se, urdhri i mbrojtjes në Shqipëri është kthyer në një urdhër “shumë formal” përtej vlerës psikologjike që mund t’i japë një “siguri” gruas në një kohë afatshkurtër.

“Ky urdhër nuk siguron më asgjë. Ne e dimë që u bënë vite, më shumë se 10 vite që gratë e vrara kanë qenë pothuajse të gjitha me urdhër mbrojtjeje”, thekson Arbana për AP-në. “Përse drejtësia, gjykata, policia, prokuroria nuk ulen në një tryezë që të shikojnë dhe të rregullojnë këtë mekanizëm i cili është kaq formal, i cili po i çon drejt vdekjes këto gra”.

Në përmbyllje, ajo vuri theksin edhe tek problemi i mendësisë në Shqipëri.

“Familja e dinte, nëna e dinte, të gjithë familjarët e dinin sa e kërcënuar ishte vajza e tyre që hershëm, që në momentet e para kur është martuar dhe për hir të një opinioni, për hir të një martese aq të shëmtuar ato e lanë vajzën e tyre të bëhej viktimë e një vrasjeje të tmerrshme, e humbjes së jetës në një mënyrë skandaloze”, tha presidentja e “Useful to Albanian Women”.

Prokuroria

Raporti i fundit i publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vëren se 2 mijë e 940 raste të dhunës në familje kanë qenë objekt i padive me kërkesë “Lëshimi i Urdhrit të Ndalimit/Mbrojtjes Emergjente”.

Por statistika më shqetësuese lidhet me ndjekjen e këtyre rasteve nga drejtësia.

Vetëm në 61.7 për qind të rasteve prokurorët kanë kërkuar dënim me burg për të pandehurit për vepra të dhunës në familje, ndërsa në 38.3% të rasteve dënim alternativ.

Kjo, duke vënë në dyshim efektivitetin e ndjekjes penale ndaj këtyre personave.

Në 87,7 për qind të rasteve prokurorët kanë kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa në 12,3 për qind të rasteve detyrim-paraqitje në policinë gjyqësore.

Në vitin 2022, të dhënat e Policisë së Shtetit treguan se janë regjistruar gjithsej 5 mijë e 214 raste të dhunës në familje dhe krimeve të tjera brenda familjes.

Nga të gjitha këto raste, vetëm gjysma e tyre (2 mijë e 274) janë referuar në prokurori.

Sakaq, janë regjistruar dhjetë raste të vrasjeve në familje, me 12 viktima, nga të cilat gjashtë ishin gra/vajza dhe nga këto katër ishin bashkëshortë.

Ndërtimi i ngjarjes

Pas kërkimeve të autoriteteve policore, u lokalizua Gjergji Mullalli, i cili vrau të shtunën e 29 korrikut bashkëshorten e tij me armë zjarri.

55-vjeçari ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë, sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar.

“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi”, vëren Policia.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, Mullalli është vetëvrarë.

Mullalli akuzohej për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Autoritetet bënë me dije se pas hetimeve të kryera, dyshohet se Gjergji Mullalli e vrau për motive të dobëta me armë zjarri 46-vjeçaren Luiza Mullalli, të cilën më pas e hodhi në një gropë septike, pranë banesës së saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore